Uji mbulon rrugën në Obot, qarkullimi vetëm me mjete të larta

Prefektura e Qarkut Shkodër njoftoi sot se niveli i ujit në fshatin Obot mbetet rreth 30 centimetra, ndërsa deri tani nuk ka raportime për banesa të rrethuara nga uji.

Sipas këtij institucioni, në terren janë angazhuar 6 efektivë dhe 1 mjet nga Reparti Ushtarak 1010 i Vaut të Dejës për të ndjekur situatën nga afër.

Po ashtu, bazuar në të dhënat e administruara nga DRUK Lezhë, nivelet e ujit në pikat monitoruese vijojnë të qëndrojnë nën kuotat kritike. Niveli i liqenit aktualisht është 7,85 metra, nga 9,50 metra që konsiderohet kuota kritike, ndërsa lumi Drin shënon 7,60 metra, përballë kufirit kritik prej 10 metrash. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 25 mm reshje, ndërkohë që sistemi i kullimit dhe ai i mbrojtjes nga përmbytjet paraqiten funksionalë dhe pa problematika, edhe pse reshjet vijojnë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sa i përket akseve rrugore, në segmentet Koplik–Bogë dhe Dedaj–Razëm vazhdojnë reshjet e shiut, ndërsa në rrugën Bogë–Theth ka reshje dëbore. Trashësia e borës ka kaluar 50 centimetra, duke shtuar rrezikun për ortekë. Strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në bashkinë Malësi e Madhe reshjet kanë qenë me intensitet mesatar gjatë gjithë natës, por pa probleme të raportuara nga Emergjencat Civile. E njëjta situatë paraqitet edhe në bashkinë Vau i Dejës. Ndërkohë, në bashkitë Pukë dhe Fushë-Arrëz gjendja mbetet e qëndrueshme dhe nën kontroll.

Institucioni i Prefektit të qarkut Shkodër dhe strukturat vendore do të vijojnë monitorimin në terren dhe do të informojnë për çdo zhvillim të mëtejshëm në kuadër të emergjencave civile.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ftesa e Trump e shpëton Ramën nga sulmet e brendshme politike?