UKT: Na kanë sabotuar qëllimisht për mbifaturimet!

Deklarata e plote e drejtorise se ujesjellesit Tirane
UKT-ja Tiranë ka ndjekur me shqetësim problemin e mbifaturimeve në një zonë të kufizuar të kryeqytetit për disa qindra abonentë, kryesisht në zonën e lagjes Kombinat dhe në rrugën e Kavajës.
Problemi me mbifaturimet është evidentuar pas printimit të faturave të ujit për muajin janar dhe menjëherë më pas është nisur verifikimi në terren. Nga verifikimet e bëra rezulton se janë prekur gjithsej 1020 klientë me mbifaturime nga 202 mijë klientë të UKT-së. Në total sasia e ujit të mbifaturuar është 36980 metër kub ujë, ose rreth 1.1 për qind e totalit prej 3 milionë e 300 mijë metër kub ujë të faturuar për Tiranën në muajin janar 2016. Në lekë sasia e ujit të mbifaturuar zë vetëm 4 milionë lekë, një shifër kjo e papërfillshme në shifren afariste mujore të ndërmarrjes. Kjo shifër zë vetëm 1 për qind të të ardhurave të ndërmarrjes.
Subjektet që janë mbifaturuar janë të pajisur me sahatë matës dhe kryesisht janë farmaci, dyqane rrobash dhe zyra hipotekash.
UKT-ja Tiranë deklaron me përgjegjësi të plotë se matjet nga faturuesit janë në rregull, por mbifaturimi është bërë në sistemin e vjetër informatik të ndërmarrjes, nga jashtë, nga persona që kanë mundësi të ndërhyjnë dhe të manipulojnë shifrat.
Nisur nga vlera e papërfillshme e totalit të mbifaturimeve, UKT-ja Tiranë gjykon se veprimi, përveçse një gabim i mundshëm njerëzor, është një akt i qëllimshëm sabotimi, i kryer për të nxirë imazhin e ndërmarrjes që po përpiqet të reformohet, duke përmirësuar shërbimin dhe cilësinë. Synimi i ndërhyrjes së qëllimshme mund të ketë prapavijë politike, ose mund te jete kryer për të goditur ekipin e ri drejtues të ndërmarrjes dhe për hakmarrje ndaj reformës së kryer në UKT-në Tiranë, duke eleminuar strukturat e vjetra abuzive që rëndonin mbi buxhetet e klientëve familjarë të UKT-së, të bizneseve dhe të vetë ndërmarrjes sonë.
UKT-ja Tiranë siguron abonentët e prekur nga mbifaturimet se ato do të zerohen dhe do të njihen vetëm faturat reale që kanë bërë faturistët në terren.

Të gjithë këta klientë do të paguajnë vetëm faturën sipas konsumit real.

SHKARKO APP