Ulja e lindjeve, ekspertët japin zgjidhjet si shmanget plakja e popullsisë
Në vitin 2020 numri i vdekjeve e kaloi numrin e lindjeve, duke shënuar një sinjal alarmi për plakjen dhe tkurrjen e popullsisë. Gjatë vitit që lamë pas, në vend u regjistruan rreth 27,600 lindje, ndërsa humbën jetën 28,026 persona. Ish-drejtorja e Përgjithshme e INSTAT, Ines Nurja thotë se numri i lindjeve sa vjen dhe bie ku u arrit kulmi vitin e kaluar. “Nga 80 mijë lindje që kishim në vitin 1990 kemi arritur në 2019 në vetëm 28 mijë lindje. Kjo rënie sjell faktin që në Shqipëri kemi plakje të parakohshme të popullsisë.
“Nga 2.1 që ka qenë lindshmëria për gruan ka rënë në 1.3. Nëse vazhdon në këto ritme, Shqipëria shumë shpejt do të ketë një problem për të ardhmen. Deri në këto momente politikat nuk kanë dhënë efekt. Problemi kryesor aktualisht është frenimi i largimit të mëtejshëm i shqiptarëve”, u shpreh Nurja. Sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit të Studimeve Ekonomike dhe Sociale, Kastriot Sulka problemi kryesor për situatën me prirje negative të rritjes së popullsisë është se ai nuk po njihet si i tillë nga qeveria.
Mjekja obstetër Odeta Hoxhaj tha se prirja në ulje e lindjeve ka vijuar për 30 vite në Shqipëri dhe aktualisht ka marrë prirje në përgjysmim të popullsisë. ”Nga mesatarja 2.7-3 fëmijë për familje që ishte në fillim të vitit 1990, lindjet për familje kanë arritur në 1.4-1.2 fëmijë për familje”,-tha Hoxhaj. Mjekja cilësoi vështirësitë ekonomike si arsyen kryesore për rënien e prirjes së lindshmërisë.
Gazetarja Loneta Progni i pyeti ekspertët se kush mund të ishte zgjidhja. Ajo kujtoi se partitë politike kanë premtuar paketa bonusesh për të ndihmuar familjet për fëmijët e sapolindur. I pyetur për bonuset e premtuara si politikat sociale, eksperti Sulka tha se ato nuk janë të efektshme pasi lindshmëria dhe problemi me familjet shqiptare ka të bëjë me garancinë dhe vijimësinë.