UNDP dhe Gjykata e Lartë nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për të futur inteligjencën artificiale në sistemin e drejtësisë
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Shqipëri dhe Gjykata e Lartë e Shqipërisë nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për të avancuar modernizimin e sistemit gjyqësor përmes përdorimit të teknologjive inovative. Memorandumi u nënshkrua nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Randi Davis. Ky partneritet synon zhvillimin dhe zbatimin e një sistemi të asistuar nga Inteligjenca Artificiale për anonimizimin e vendimeve gjyqësore, duke rritur transparencën në sistemin e drejtësisë dhe duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtave themelore të qytetarëve.
Memorandumi pasqyron angazhimin e përbashkët për përdorimin e përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale në funksion të forcimit të sistemit gjyqësor në Shqipëri. Sistemi i ri do të mundësojë redaktimin automatik të informacioneve personale sensitive në vendimet gjyqësore, duke siguruar akses më të sigurt publik në këto vendime. Nisma promovon hapje dhe llogaridhënie më të madhe në procesin e drejtësisë, duke reduktuar ndjeshëm rreziqet për individët veçanërisht për kategori vulnerabël si gratë, të mbijetuarit e dhunës me bazë gjinore, të miturit dhe komunitetet e margjinalizuara – të cilët përballen me kërcënime të shtuara nga ekspozimi i të dhënave në dokumentacionin gjyqësor.
Gjykata e Lartë do të kontribuojë me ekspertizën e saj juridike në çdo fazë të projektit, nga konceptimi deri në zbatimin praktik, duke ushtruar rol drejtues në ndërtimin e standardeve të reja për përdorimin etik dhe të përgjegjshëm të teknologjisë në drejtësi.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, u shpreh: ”Ky bashkëpunim përfaqëson një moment të rëndësishëm drejt një sistemi drejtësie më transparent, më efikas dhe më të mbrojtur nga rreziqet që lidhen me ekspozimin e të dhënave personale. Ne jemi të angazhuar ta çojmë më tej këtë partneritet përmes projekteve të tjera novatore në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës”.
Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Randi Davis, theksoi: “Ky Memorandum pasqyron vizionin tonë të përbashkët për një sistem drejtësie që integron inovacionin në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve, duke mbrojtur me vendosmëri të drejtat themelore. Gatishmëria e Gjykatës së Lartë për të udhëhequr dhe për të kontribuar në mënyrë substanciale gjatë gjithë procesit përbën një precedent të rëndësishëm për të gjithë sistemin e drejtësisë në Shqipëri”.
Në vijim të mbështetjes afatgjatë të UNDP-së për institucionet e drejtësisë në Shqipëri, që përfshin ngritjen e sistemit kombëtar të ndihmës juridike falas, ky Memorandum shton një dimension të avancuar digjital në përpjekjet për një drejtësi më gjithëpërfshirëse, të orientuar nga qytetari dhe të mbështetur në teknologji. Projekti do të nisë në nivelin e Gjykatës së Lartë për të krijuar një model funksional (proof of concept), me potencial për t’u shtrirë më tej në të gjithë sistemin gjyqësor. I financuar nga UNDP, zbatimi i tij parashikohet të zgjasë një vit.
Përmes këtij bashkëpunimi, UNDP dhe Gjykata e Lartë riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj përdorimit etik të teknologjisë në funksion të rritjes së llogaridhënies, mbrojtjes së privatësisë dhe garantimit të një aksesi më të barabartë në drejtësi, duke kontribuar në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
KOHA JONË SONDAZH

