Unë i dua ish -komunistët e ndershëm …
-Përsiatje nga cikli “Gazetar midis dy shekujve”-
Nga Kristo Mërtiri/Pardje, po prisja përballë ushtarëve të Gardës së Republikës për të hyrë në zyrat e Departamentit të Administratës Publike (sinqerisht nuk e kuptoj ende atë kontrollin e imtësishëm dhe mbajtjen në kamaret e tyre si filxhanët të çelësave të shtëpisë, të celularëve dhe vëzhgimin elektronik të rrobave në trup !). Dhe njerëzit e thjeshtë a nëpunësit e ardhur enkas nga kryeqendra dhe periferia, nuk dinë nga hyjnë e nga dalin të stresuar si përmes një labirinti të çuditshëm. “Përse e ka emrin “publike”, se këtu vetëm publiku nuk hyn dot lirshëm e natyrshëm këtu ?”, pyetëm jo pa pakëz humor përcëllues. Por kjo është tjetër temë shkrimi. Duke pritur jashtë në heshtje, befas vjen e më takon një i njohuri im i vjetër qysh gjatë studimeve të larta universitare dhe më vonë i patundur nëpër Administratën Shtetërore. Ashtu i shkathët e gjithnjë “luajal” peqelepërie e përgjërues me shefat, nuk provoi asnjëherë hedhjen në rrugë, papunësinë vrastare. Mirëpo, nuk thoshte kot babai im i urtë e hallemadh në Tepelenë: “Servilin kulpër e të ligun përcille me urim-mallkimin “Të pafsha pa punë!”. Por i njohuri im nuk është thjesht mburravec i rëndomtë, kur më tha se zotëronte disa apartamente të lëshuara me qira në Tiranë dhe dy për vakanca në bregdetin e Durrësit e të Vlorës. Paske pasur rrogë të majme në shtet ?,-iu ktheva aty për aty me ironi. –Në mos rrjedhtë, do pikojë,-u përgjigj duke qeshur. Pastaj, ti e di, nuk ka kala që nuk marrin komunistët, or mik !… –Të lutem korrigjoje pakëz, thuaj “nuk ka kala që nuk marrin…Paratë!”, ti e mban mend atë shkrimin tim të botuar me këtë titull.
-T’i lemë romuzet. A ke sajuar ndonjë kioskë; ndonjë ngastër toke “të xanun” rreth Tiranës apo në vendlindje; ndonjë kafene a lokal lloto-sporti, kazino a dhomë farmaceutike; ndonjë motel të vockël që buron e nuk shteron; ndonjë bord ku qarkullojnë miliona pa u vrarë; ndonjë tender me dhjamë e të tjera mundësi praktike ? Se ti njeh dynjanë dhe ke bërë mjaft ndere pa asnjë kacidhe…
Kur iu përgjigja me ngritje supesh dhe pastaj me deklaratën time të prerë se “me rrogën e shtetit a të privatit, ato pasurira nuk bëhen kurrë, kam vetëm çatinë me kredi si litar në fyt dhe unë jam ai që kam qenë, siç më ke njohur dikur”, më dha dorën për t’u larguar dhe zbrazi fjalinë e papritur : – Pse nuk më ndalove që në fillim të bisedës, se i paskam rënë kot teneqesë…Ti paske mbetur komunist i parinovuar !…
Iku duke qeshur (më saktë, i ngërdheshur), sepse siç më tha, në hotel “Sheraton” do të zhvillohej një konferencë e rëndësishme për luftën kundër korrupsionit (?!). U trishtova jo pak dhe rashë në mendime të trazuara. Në tregun e lirë të demokracisë, ish komunisti pehlivan e i “rinovuar” qe bërë pasanik duke vjelë në kolltukët shtetërore! Prandaj u ula të shkruaj. Kjo besoj do të jetë edhe një përgjigje e plotë për atë tip dhe të tjerë të shtuar si egjra. Por trishtimi im u ngarkua vetiu më tepër kur më tha si kalimthi për vdekjen e një ish pedagogut tonë të nderuar, njeriut të mirë Selfo Kuka. “I mirë, i mirë, por ç’e do, ishte dhe mbeti fukara profesori i ekonomisë…”. Ndërsa unë parafytyroj atë intelektual e burrë me zemrën llagar, ish komunist i ndershëm që studentët e respektonin shumë. Gjatë leksioneve në auditore dhe jashtë tyre. Mua më dukej se e doja diçka më tepër se kolegët e mi. Ndoshta nisur edhe nga lidhjet e tij shpirtërore e profesionale në Tepelenën time. 24 karat gjirokastrit. Disa vite drejtoi plot sukses sektorin ekonomik të minierës së qymyrgurit në Memaliaj. Pra, nuk erdhi pedagog në fakultet nga bulevardet e kryeqytetit. Erdhi nga llavat, galeritë e puset e asaj miniere historike, ku edhe unë punova pak kohë në moshën e parë të djalërisë. Bashkë me usta Brahimin e dashur në sektorin e tretë. Selfon nuk e kisha njohur fare atëherë. Por në memorien e studentit të Degës së Gazetarisë , gjatë shfletimit të koleksioneve të shtypit në bibliotekë, më kish mbetur një reportazh i bukur nga Dritëroi ynë. Dhe nuk ishin shënime nga zyrat e studiot e Tiranës, por qenë mbajtur nëpër galeri, atje ku shpatullat punëtore të njeriut lëviznin shpatullat e malit. Atje ku 300 komunistë derdhni djersën e udhëhiqnin betejat pa pretendime dhe larg fjalimeve boshe, për t’i dhënë Shqipërisë e Europës qymyr nga më cilësorët. Në ato zgafelle ku dalloheshin vetëm sytë dhe dhëmbët e bardhë nën dritën e llambës të montuar në ballë të kapelës, e sidomos nëpër llavat 70 cm të larta e me pjerrësi të madhe ku ecej gati zvarrë përmes tymit e pluhurit të minave, deri te galeria tjetër. Dhe ecte Dritëroi me shokun e hershëm të klasës në gjimnazin e qytetit të Gjirokastrës, që kishte qejf edhe gjeometrinë, edhe historinë. Me njërën këmbë të zgjatur përpara dhe tjetrën nën vete. Bisedonin me ata heronj të gjallë të nëntokës, duke thithur edhe erën e thartë të dinamitit e të qymyrit që derdhej me uturimë nëpër vagonë. Ndërsa Selfua e pyeste për shkrimtarin Zolai, një nga penat e fuqishme që hodhi në letër vepra të pavdekshme për minatorët e qymyrit…(Pak kohë më parë, në mbrëmje vonë ndoqa një emision televiziv drithërues për qytetin që lindi e u rrit bashkë me minierën, për Memaliajn e sotme të zhytur në skamjen e varfërinë e Tranzicionit çerek shekullor ! Jetë akullirë, ku era e luginës së Vjosës të duket se vajton valë sertë në heshtje e me ligje mërmërimë. Ç’u bënë ata dhjetëra inxhinierë, teknikë të mesëm e mjeshtra me famë, ekonomistë, arsimtarë, artistë etj. që mbanin përditë ndezur jetën kulturore e sportive, vetë mushkëritë e qytetit ? Thonë se është kthyer prapë koha e lundërxhiut pranë Rrapit të Dervenit, ku dikur kalonin lumin mushkat e ngarkuara me qymyr guri !…). Shumica e minatorëve ish anëtarë të PPSh-së dhe ata pa tesera që njoha unë dhe kolegët e mi, kanë ikur në atë botë dhe prehen te ajo lëndina lotëvaditur në hyrje të qytetit e gjetkë. Prehen faqebardhë, në paqe me veten dhe të tjerët. Ashtu si pedagogu im i paharruar, Selfo Kuka, në Tiranë…
Të vërtetat e punës së ndershme të njerëzve të ndershëm (qofshin anëtarë partie ose jo ), kurrsesi s’mund të fshihen dhe as të retushohen me bojërat e pluralizmit. Sepse në fund të fundit, “nuk futet minarja në thes”! Mua personalisht, nuk më dridhet zëri dhe as më dridhen gishtërinjtë të shkruaj për këta njerëz me shpirt të kulluar si bora mbi male, që përgjithësisht e ngrysën jetën me dinjitet e në fukarallëk dhe aspak në maskarallëk e hajdutllëk. Kur shikoj e dëgjoj sidomos nga ajo skota e ish komunistëve të pacipë “antikomunistë”, që sot shesin leksione demokracie mbi thasët e parave të pista, më vjen vërtet për të vjellë. Boll u hodh baltë me lopata mbi ata mësues, agronomë, ushtarakë, mjekë e ekonomistë, zooteknikë e veterinerë, inxhinierë e luanë të tuneleve dhe të digave madhështore që i sollën Shqipërisë dritë nga Bistrica, Ulëza e Shkopeti; nga tre kolosët mbi lumin Drin: Vau i Dejës, Fierza e Komani etj. Pasuri dhe krenari kombëtare e veçantë. Përse do i akuzosh sot ata shqiptarë me tesera e pa tesera ? Shumë prej tyre ndoshta ua ka ulur pak shpinën varfëria dhe pensionet qesharake e tepër fyese për një brez që i dha gjithçka mëmëdheut. Lanë familjet dhe hallet e tyre mënjanë dhe shkuan në Veri e në Jug, në betejat ndërtimtare për një Botë të Re. Ashtu si në Luftën e shenjtë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Po sot ? Mjaft profesionistë nga ata që përmendëm më lartë, sot e quajnë padrejtësi të madhe e deri “internim” vajtjen në fshatra e zona të thella për t’u shërbyer taksapaguesve të mjerë. P.sh. një kardiolog paguhet e përgjigjet në roje të shëndetit të zemrave për dy-tre rrethe bashkë (?!). Spitalet u shkretuan. Specialistët u dyndën në metropol, në qytete të tjera e në mërgim. E tmerrshme : mjaft gra e nuse të reja shtatzëna transportohen me vig për të lindur në qendër të rrethit a të qarkut, tamam siç na tregonte gjyshja e ndjerë për kohën para Clirimit të vendit ! Në emër të lirisë kallpazane të maskuar me luftën “kundër komunizmit”, u bënë shkrumb e hi shkolla, librari, uzina e fabrika; bibliotekat e famshme të Shkodrës, Universitetit të Kamzës e atë të Sarandës; redaksi gazetash etj. Dhe ulërinin e shanin Enverin e ish komunistët që sipas tyre duhet të çoheshin “në litar”. Le të digjej Shqipëria, mjafton që polit(h)ika mesjetare të rrëmbejë votat e pushtpushtetit ! Bashkë me depot e armëve donin të hapeshin edhe portat e luftës së zezë civile. Dhe ja ku jemi sosur pas 25 viteve…
Hatarat e këtij Tranzicioni të harbuar nuk kanë anë e fund. U shkulën deri ca gurë themeli në tradita e moral. Të persekutuarit e vërtetë e dinjitozë dhe mjaft ish komunistë të ndershëm ngelën me gisht në gojë. Është trishtuese e kuptimplote, bie fjala, ajo deklareja hidhësirë e një nëne të vuajtur padrejtësisht në monizëm e në pluralizëm. Ja çfarë i tha Kryeministrit të sotëm: -“Herë tjetër, do të vij në Tiranë me një karafil në dorë dhe do ta çoj te varri i Enver Hoxhës…”. Dhe nuk ishte thjesht një shkreptimë dëshpërimi e çastit pas kaq vjetësh pa punë, pa strehë e dritë elektrike. Karakteret e fëlliqura, dje të fshehur e mbuluar si iriq dhe sot të zhveshur lakuriq, janë edhe zemër katilë e shumë larg shtetit të vërtetë social. Dhe duke dalë me “fuoristrada” nga vilat e lokalet luksoze të parave të pista, na tundin flamurin e demokracisë europerëndimore (?!).
Tani po na troket muzgu i jetës. Bëjmë edhe bilance dinjiteti e personaliteti, përballë Polit(h)ikës pa kurrfarë morali. Pse ta fsheh, unë i dua dhe i respektoj ish- komunistët e ndershëm, por jo xhambazët e tregut të lirë të demokracisë: ish- komunistët “antikomunistë” dhe pinjollët e tyre hajdutë djathtas e majtas. As frikësohem dhe as kompleksohem të flas e të shkruaj hapur për ata që luftuan e punuan pa hile për vendin tim, “të cilët as u korruptuan, as vodhën, as u inkriminuan me krime, por luftuan si idealistë asketë për një shoqëri humane, duke dalë të zhgënjyer jo vetëm në Shqipëri, por në gjysmën e botës”…
KOHA JONË SONDAZH

