Unë jam sharlatani i parë i plehrave
Miratimi i projetktligjit të mbetjeve shkaktoi reagim tek qytetarët dhe një ndër ta është edhe aktivisti, Endrit Shabani ose siç e quan ai veten sharlatani i parë.
Shabani ironizon kryeministrin Edi Ramën për plehrat duke filluar që nga fakti që tjetër gjë janë plehrat, tjetër gjë mbetjet teksa pyet me ironi: Ta merrte mendja ty?
Nëpërmjet një autokritike ai thumbon fort Ramën lidhur me importin e mbetjeve:
Së pari, unë nuk di gjë fare se nga i nxori qeveria shifrat që sektori i riciklimit ka bërë 130 milion euro investim, apo se në këtë sektor punësohen 30 000 punonjës. Jam akoma më i paditur se sa tatime paguajnë këto kompani dhe sa punëtor kanë të regjistruar me sigurime shoqërore.
Së dyti, unë kam dije të cekëta për aftësinë e shtetit tonë për të menaxhuar mbetje të rrezikshme. Unë them që duhet t’i ketë, por nuk e di përse në rrëzë të Dajtit gjenden tonelata me mbetje spitalore, administrimi i të cilave rregullohet me ligj të veçantë. Madje unë as nuk di përse zorrët e pacientëve hidhen tek kazani i QSUT-së ndërkohë që janë investuar miliona euro për ndërtimin e impianteve përkatëse.
Së treti, nëse është e vërtetë që shteti shqiptar i ka të gjitha kapacitetet që të monitorojë lëndët e rrezikshme dhe të pengojë futjen e tyre në vend, atëherë përse nuk e dimë ende kush ndoti detin Adriatik në Durrës në nëntor të 2015-ës? Përse se nuk u parandalua katastrofa mjedisore në Zvërnec, pranë fabrikës së përpunimit të naftës? Apo përse vazhdon të derdhet lëndë toksike në lumin Gjanica në Fier?
Së katërti, nëse riciklimi nuk shkakton ndotje, atëherë unë nuk e di çfarë është gjithë ajo lëndë e hedhur në buzë të lumit Shkumbin, i cili kalon pranë një kompanie që riciklon hekur. Nuk e di gjithashtu sa është niveli i ndotjes së ajrit në zona të tjera ku riciklohet plastikë, si Vrion të Sarandës, Mëzez apo Kashar të Tiranës. Ka gjithmonë një re të bardhë misterioze në këto zona që i jep një pamje të denjë për filmat uest, por kushedi se nga vjen (mbase ka shumë duhanpirës).
Së pesti, nëse BE-ja qenka një sigël kaq e garantuar, si ka mundësi që në Itali, një nga shtetet kryesore të tij, mafia e plehrave ka arritur të groposë mbetje të rrezikshme dhe për pasojë të rrisë në mënyrë të tmerrshme numrin e fëmijëve që vdesin nga kanceri? Nuk e di as nëse duhet marrë seriozisht ky Roberto Saviano që na paralajmëron se mafia italiane do na sjellë mbetje të rrezikshme. Disa thonë që ky çoç di, por unë dorën në zjarr nuk e vë dot për të, se seç ka një çehre sharlatani.
Së gjashti, nuk e kam haberin fare se në cilin dokument BE-ja na paska vendosur si kusht importin e plehrave. E them këtë se më ha meraku, ngaqë të gjitha ato rekomandimet e tjera të BE-së ne i kemi plotësuar dhe s’ja vlen tët prishet integrimi për kaq gjë. Në fillim mendova që problem ishte fakti që ne jemi treguar zemërgjerë me mafiozët e plehrave dhe nuk e kemi parashikuar si vepër penale futjen e mbetjeve të rrezikshme (siç kërkon direktiva 2008/99 e EC). Por jo, nuk çalonka këtu puna, na qenka një dokument misterioz ku si fillim kërkohet t’i tresim Evropës mbetjet, e pasta të na pranojnë në tavolinë.
Së shtati, nëse këto kompani riciklimi punojnë vetëm në 30% të kapacitetit, unë nuk e di përse ka ende male me plehra të hedhura nëpër lumenjtë, plazhe dhe fushat periferike të Shqipërisë. Pra përse nuk e rrisin kapacitetin këto impiante duke na përpunuar të gjithë plehrat tona (jo ato plehra që po mendon ti).
Së teti, nuk kam fare informacion se ku do hapen këto 30 000 vendet e punës në riciklim. Uroj të jenë në Sharrë, se për aty kam parë disa reklama të bukura ku punohet me përparëse si në laborator. Media investigative tregon se sigurime shoqërore nuk paguajnë, por ama lekët i merr në dorë direkt, nuk ka numra (më mirë se në disa universitete private që mezi të kalon rroga). As sigurime shëndetësore jo, por nuk ke ç’i do se zakonisht bëhesh për morg direkt, ta kursejnë spitalin, ilaçet dhe vuajtjet e panevojshme.
Së nënti, jam fare konfuz përse PS ende quhet parti e majtë. E them këtë, se disa sharlatanë të tjerë këtu tek departamenti im nuk më besojnë kur i them se një parti e majtë po mbron hapur interesin e disa milionerëve edhe pse ai bie ndesh me mjedisin dhe shëndetin e miliona punëtorëve. Por siç duket nuk kanë shumë haber nga politika këta, helbete anglezë.
Së dhjeti, nuk kam asnjë ide përse i mohohet mundësia popullit që të shprehet përmes referendumit për një projekt kaq të dobishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Në fund të fundit ato mijëra vende pune për popullin janë, se fëmijët e politikanëve nuk merren me plehrat. Nuk e di se sa kilokalori duhet të harxhojë kryetari i maxhorancës për ta çuar çështjen në referendum, por thonë që referendumet nuk kërkojnë shumë sforco. Ja shiko atëherë kur tak-fak Rama anuloi referendumin e fituar nga populli. Pesë minuta gjë.
E pra me gjithë këto pyetje dhe asnjë përgjigje, njëlloj si Sokrati, ne kemi mësuar vetëm që dimë një gjë që s’dimë asgjë. Kështu që le ta themi hapur: deri sa t’i kemi parë me sytë tanë që plehrat e rrezikshme kanë ardhur, dhe të kemi statistika të plota për fëmijët, prindërit, motrat dhe vëllezërit që po na vdesin nga kanceri, kushdo nga ne që flet për këtë punë, nuk është tjetër veçse një sharlatan. Por nëse edhe ti ndihesh thellë-thellë një sharlatan, eja të shtunën në protestë. Në fund të fundit, më mirë të jesh sharlatan se sa pinok.
KOHA JONË SONDAZH

