FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Unioni i gazetarëve: Aktet e dhunës mbi gazetarët janë të papranueshme, autoritetet të mbajnë përgjegjës autorët

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në një deklaratë për mediet ka dënuar agresionin verbal dhe atë fizik ndaj reporterëve, operatorëve dhe punonjësve të mediave, madje dhe mbi automjetet e mediave në krye të detyrës. Duke iu referuar protestës së ditës së sotme, përpara godinës së Parlamentit, UGSH thekson në deklaratë se akte të tilla banditeske janë krim.

“Ato në asnjë mënyrë nuk mund të tolerohen. Ndërhyrja e protestuesve mbi mikrofonat me logo të reporterëve, ndaj kamerave të operatorëve dhe pjesëtarëve te stafeve mediatike në krye të detyrës, janë veprime të dënueshme. Kushdo qofshin ata protestues, veprimet dhe aktet sulmuese të tyre ndaj reporterëve janë një arsye e plotë për të denoncuar dhe paditur ligjërisht”, thuhet në deklaratë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u kërkon gjithë kolegëve të publikojnë dhe afishojnë, me zë dhe figurë, çdo agresion dhe agresor të tyre. UGSH kërkon nga Policia e Shtetit të ndalojë dhe vërë para përgjegjësisë ligjore çdo sulmues, agresor, shantazhues dhe intimidues të gazetarëve në detyrë. “Kërkojmë nga autoritetet e Policisë së Shtetit të ushtrojnë autoritetin e tyre për garanci, siguri dhe të drejtë ushtrimi të profesionit për gazetarët dhe operatorët, pavarësisht për cilën medie raportojnë. Aktet e sotme janë veprime kriminale ndaj mediave dhe gazetarëve”, vijon deklarata.

Swiss Digital Desktop Reklama

UGSH vëren se gjatë të gjitha orëve dhe ditëve të protestave të realizuara në kryeqytet të gjithë reporterët, fotoreporterët dhe operatorët e mediave janë të identifikuar me dokumentet dhe simbolet profesionale. UGSH u drejtohet posaçërisht të gjithë organizatorëve, të shpallur publikisht ose jo, se duhet të ushtrojnë dhe marrin përgjegjësinë e tyre për aktet rrugaçërore, veprimet dhe sulmet kriminale dhe sidomos pengimet dhe fyerjet, disa herë me grupe, që ka pasur ndaj reporterëve të mediave në detyrë, gjatë ditës së sotme.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Në të njëjtën kohë i drejtohemi drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe ministrit të Brendshëm, të ushtrojnë autoritetin e tyre të plotë, pasi në disa raste punonjës policie i kanë akuzuar reporterët dhe fotoreporterët se po punojnë për të huajt, ndërkohë që ata janë të identifikuar. Ne kërkojmë prej jush që rastet e sotme të dhunimit të gazetarëve nga protestues dhe aq më tepër edhe nga punonjës policie, të vlerësohen me urgjencë dhe të bëhen objekt i gjykimit dhe vlerësimit ligjor”, theksohet në deklaratë.

UGSH vëren se dita e sotme me episodet e pazakonta agresive dhe dhunuese ndaj gazetarëve, ishte paralajmëruar prej organizatës me deklarata të njëpasnjëshme, ku theksohej agresioni verbal në shtim nëpër rrjetet online dhe disa mediume ndaj gazetareve dhe mediave te ndryshme. “Dita e sotme shënon një rekord alarmant agresionesh fizike dhe kërcënimesh ndaj lirisë raportuese dhe integritetit fizik të gazetarëve. Ky realitet kritik meriton të vlerësohet nga të gjithë aktorët, institucionet dhe protestuesit si një ditë e keqe për lirinë e ushtrimit të profesionit dhe raportimin e lirë në hapësirën publike dhe në terrenin politik dhe të demonstrimeve qytetare”, përfundon deklarata.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se protesta para kryeministrisë do të ketë sukses apo do shuhet?