Unioni i Gazetarëve ndan çmimet e përvitshme për median e shkruar dhe audiovizive

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka zhvilluar sot ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për zhanret e gazetarisë së shkruar dhe asaj audiovizive. Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa ka deklaruar në këtë aktivitet se çmimi kryesor është ai për gazetarinë ekonomike, çmim që mban emrin Vangjush Gambeta, si dhe çmimet vjetore të karrierës. Në ceremoninë e Unionit mori pjesë edhe Presidenti i Republikës Bujar Nishani.

Çmimet “Vangjush Gambeta iu ndanë: gazetarit Xhovani Shyti për median e shkruar, gazetarët Ornela Gaçe dhe Erjon Kristo, drejtues të emisionit “Bardhazi” në Scan TV për gazetarinë televizive, gazetari Vedat Mehmetali i Koha të Maqedonisë dhe Visar Prebreza, gazetar i Koha Ditore të Kosovës.

Ndërkaq çmimin “Gazetari i vitit” e mori Marin Mema, reporteri i njohur i televizionit Top Channel. Me çmimin special për dokumentarë u nderuan Roland Qafoku dhe Monika Shoshori Stafa.

Dy çmimet më të rëndësishme që Unioni i Gazetarëve ndan çdo vit janë çmimet e karrierës. Një çmim u dha gazetarit të njohur të “Zërit të Amerikës” Ilir Konomi, i cili u dorëzua nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe çmimi tjetër iu dha gazetarit, regjizorit dhe moderatorit të njohur Dhimitër Gjoka, çmim i cili u dha nga Drejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Gëzim Podgorica.

SHKARKO APP