Unioni i Gazetarëve: Sjellja e Braçes, arrogante dhe fyese

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi pas incidentit të deputetit Erion Braçe dhe gazetarit të Top Channel, Klodian Tomorri.

Sipas tyre, sjellja e Braçes është fyese dhe arrogante.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj sjelljes nervoze dhe fyese të kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, deputetit Erion Braçe ndaj gazetarit të Ekonomisë, Klodian Tomori. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ekonomisë, kolegu Tomorri u përball me një reagim nervoz dhe arrogant të deputetit drejtues të Komisionit, duke i kërkuar atij të respektojë orarin e fillimit dhe mbarimit të mbledhjes dhe duke e konsideruar lëvizjen e tij në vendin e gazetarëve në sallë si sorollatje. Drejtuesi i Komisionit shkoi edhe më tej, duke e larguar gazetarin nga salla ku zhvillohej mbledhja, gjë që bie ndesh me të drejtën e gazetarit për të ndjekur dhe pasqyruar çdo veprimtari të komisioneve parlamentare. Pretendimi i parlamentarit se në sallën e mbledhjes së Komisionit gazetarët duhet të hyjnë në orar dhe të dalin në orare të caktuara, duket i paarsye dhe nuk përfshihet në asnjë rregullore të shkruar. Madje një pretendim i tillë, bie ndesh me logjikën se si funksionon gazetaria e raportimit në mediat audiovizive. Reagimi dhe sidomos komenti publik i përcjellë nga deputeti Braçe dëshmojnë dukshëm nervozizëm dhe arrogancë, si dhe cënim të etikës së komunikimit me gazetarët dhe publikun.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh mbështetjen për kolegun Tomori si dhe i bashkohet kritikës së tij se në Komisionin e Ekonomisë që drejton aktualisht deputeti Braçe, aplikohen standarte të dyfishta për gazetarët dhe mediat,” thuhet në deklaratë.

SHKARKO APP