Universitetet, shtyhet deri në mesnatë aplikimi online
Agjencia Kombëtare e Provimeve ka shtyrë me 24 orë aplikimin online për të gjithë maturantët që duan të vazhdojnë studimet e larta në universitetet publike dhe private, të cilët tashmë kanë afat deri në mesnatë për t’u bërë pjesë e garës për në universitet.
Sipas drejtoreshës së AKP-së, Rezana Vrapi, “afati ishte 11 gushti për aplikimin për programet e studimit dhe më datën 11 u mbyll raundi i parë i aplikimeve, por për t’u ardhur në ndihëm maturantëve që nuk patën mundësi për të aplikuar, afati u shty me 24 orë që të kenë një mundësi të dytë”.
“Deri tani janë 27700 aplikues. Krahasuar me vitin e kaluar, është diçka më pak, sepse numri i maturantëve këtë vit ka qënë më i vogël”, shton drejtoresha Vrapi.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve kujton edhe një herë kushtet për studentët që aplikojnë, siç është mesatarja 6. Por, sipas saj, ka një mundësi edhe për ata që nuk e kanë këtë mesatare. “Për ata që janë me mesatare më pak se 6, kanë mundësi që të aplikojnë në programet 2 vjeçare, për shkollat profesionale, në Tiranë apo Durrës”, thotë Vrapi.
Nga 13 gushti, AKP do të bëjë gati listën e transparencës dhe formularin e korrigjimit të pasaktësive. Në datë 30 gusht AKP I dërgon universiteteve databazën e maturantëve dhe më 5 shtator do të bëhet shpallja e fituesve. Mbetësit e vjeshtës, apo edhe ata që duan të ndryshojnë preferencat, mund të aplikojnë në një raund të dytë që nis nga 23 shtatori.
KOHA JONË SONDAZH

