Urbanet një “bombë” Covidi, mjeku: Transporti publik duhet të mbyllet…

Transporti urban është kthyer në një problem shqetësues për qindra qytetarë që detyrohen të udhëtojnë çdo ditë në to.  Mjafton të hedhim një sy në urbanet e Tiranës dhe vemë re mos respektimin e distancimit fizik gjë e cila sjell panik por edhe ankth tek shumë qytetarë që rrezikojnë çdo ditë të infektohen.

Epidemiologu Ilir Alimehmeti i ftuar ditën e sotme në Ora News ka thënë se trasporti publik duhet të mbyllet pasi urbanet janë një vatër infeksioni në Shqipëri ku numri i rasteve është në rritje.

Gjithashtu Alimehmeti gjatë fjalës së tij shtoi se sa i përket pensionistëve duke qenë se janë mosha më e rrezikuar nga covid-19 duhet ti dërgohet pensioni në shtëpi dhe qeveria duhet të fillojë të ndërmarrë masa më inteligjente.

“Kjo është një pyetje që duhet t’ja bëni organeve përkatëse. Sa herë jam pyetur personalisht kam thënë se trasporti publik është  një risk madhor dhe duhet të mbyllet. Është momenti që të marrim masa inteligjente, nëqoftëse ka diçka me vlerë është ta mbajmë sa më të izoluar personin e vjetër. Nëqoftëse kjo do të thotë që ai merr për të marrë pensionin ‘A mund tja çojmë në shtëpi?’”-thotë ai.

Kujtojmë se ditën e djeshme Kryetarja e Komitetit Teknik, njëkohësisht edhe zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli u pyet nga gazetarët në lidhje me masat që duhet të merren për trasportin publik, dhe përgjigja e saj nuk pritej.

Ajo në vend që të jepte një zgjidhje konkrete për këtë problem i cili po rrezikon jetën e qytetarëve, Rakacolli u përgjigj shkurt duke thënë se njerëzit askush nuk i detyron që të hipin në urbane dhe në momentin që i shohin autobusët plot të mos i përdorin.

SHKARKO APP