Urdhri: Asnjë polic me uniformë në lokal!
Nga sot e tutje nëse një punonjës policie do të ulet me uniformë në një lokal apo njësi shërbimi, do të largohet nga detyra.
Me një shkresë të Drejtorit të Policisë së Shtetit Haki Çako, që mban datën 21 qershor 2016, dërguar Drejtorive Vendore, tërhiqet vëmendja se për policët që do të konstatohen duke shkelur etikën, do të nisin procedurat disiplinore, parashikuar në Rregulloren e Policisë.
Konkretisht, duke cituar shkresën e drejtorit Çako, siguruar nga ‘TemA’, është vërejtur në jo pak raste se punonjës policie janë larguar nga shërbimi duke shkuar në ambjente publike si lokale apo pika bastesh, madje duke konsumuar edhe alkool.
Referuar nenit 120 të Etikës, në Rregulloren e miratuar një vit më parë, punonjësit e Policisë së Shtetit e kanë të ndaluar kur janë në shërbim të konsumojnë alkool, të qëndrojnë në pika bastesh ose lojëra fati.
Ndërkohë në nenin 121 për normat e sjelljes së punonjësit të Policisë jashtë shërbimit, atij i ndalohet konsumimi i alkoolit në masën që cënon imazhin e punonjësit. Në shkresë u tërhiqet vëmendja të gjithë strukturave të Policisë së Shtetit për të patur një prezencë sa më etike si gjatë, edhe jashtë shërbimit.
Kjo shkresë e Drejtorit të Policisë Haki Çako vjen në kohën kur ka nisur sezoni turistik dhe rritet ndjeshëm fluksi i vizitorëve që vijnë për të kaluar pushimet në vendin tonë.

KOHA JONË SONDAZH

