Urdhri i Beqajt: Urgjencë për fëmijët në çdo qendër shëndetësore
Ministri i Shëndetë sisë, Ilir Beqaj ka urdhëruar ngritjen dhe funksionimin e shërbimit për urgjencat mjekësore të moshës pediatrike në të gjitha qendrat shëndetësore të Tiranës.
Sipas urdhrit, përveç ditëve të javës, shërbimi mjekësor për trajtimin e rasteve urgjente të sëmundshmërisë fëminore do të organizohet dhe funksionojë edhe ditët e diela.
Ndërkohë që, krahas mjekut të familjes apo të përgjithshëm, të dielën nga ora 8:00 deri 20:00, do të jetë në gatishmëri për këtë moshë edhe një mjek pediatër.
Tashmë shërbimi i ri ka filluar në çdo qendër shëndetësore të Tiranës, ndërkohë që do të vazhdojë të ofrohet deri në datën 1 mars 2017.
Në këtë kuadër, drejtuesit e qendrave shëndetësore të Tiranës duhet të garantojnë dhe vënë në dispozicion barnat e urgjencës mjekësore për këtë grupmoshë, sipas listës standarde të barnave të parashikuar në Paketën Bazë të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor.
SITUATA
Vendi ynë është duke u karakterizuar nga një numër shumë i lartë i të prekurve nga virozat e stinës, ndërkohë që vetëm në urgjencën pediatrike të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” regjistrohen çdo ditë rreth 400-450 raste. Praktikisht, rezulton se çdo 6 minuta regjistrohet një rast i ri, duke krijuar fluks pacientësh në këtë spital. Kjo ishte edhe arsyeja e nxjerrjes së urdhrit të ministrit Beqaj, në mënyrë që të ketë një shpërndarje të pacientëve nëpër qendrat shëndetësore si dhe shërbimi të ofrohet sa më afër tyre. Në total, në të gjithë vendin janë regjistruar rreth 14 mijë raste, çka do të thotë se vendi nuk është ende në prag epidemie, që shpallet në mbi 16 mijë raste. SHENJAT & PARANDALIMI Shenjat më të zakonshme të virozave të stinës janë: Temperaturë e lartë, kollë që mund të jetë e thatë, rrjedhje të hundëve, dhimbje fyti, anoreksi, lodhje, dhimbje koke, të përziera, diarre, të vjella, dhimbje barku, si dhe dhimbje muskulare. Kontaktet me shumë njerëz, stresi, ushqimi i gabuar dhe një sistem imunitar i dobët janë faktorë që ndikojnë në prekjen nga viruset sezonale, ndërkohë që mjekët këshillojnë rritjen e nivelit të higjienës.
“Larja e duarve shpesh herë ndihmon në parandalimin e infektimit”,- thonë mjekët. Po ashtu, e rëndësishme është marrja e vitaminave dhe mineraleve. Ajo që të gjithë e njohim për funksionin “antigrip” është vitamina C, e cila është një antioksidant sepse stimulon sistemin imunitar dhe aktivitetin e rruazave të bardha të gjakut. Vitamina C gjendet në speca, kivi, rukola, luleshtrydhe, lakrën e kuqe, agrume etj. Të nevojshme janë edhe vitaminat e grupit B, të cilat ndihmojnë në kalimin e lodhjes që na karakterizon gjatë ndërrimit të stinës. Jo më pak të rëndësishme janë edhe kripërat minerale si zinku dhe bakri, të cilat mbrojnë frymëmarrjen. Megjithatë, mjekët këshillojnë që sasia e tyre të përdoret me kujdes. Një mënyrë tjetër për mbrojtjen e sistemit imunitar është edhe sporti, i cili rrit me gati 20% numrin e antitrupave. Për këtë arsye edhe fëmijët duhen inkurajuar të praktikojnë një sport pa pasur frikë se duke u djersitur mund të ftohen. Sportet që përmirësojnë më tepër funksionimin e imunitetit janë sportet aerobike si: çiklizmi, vrapi, por edhe noti. Megjithatë duhet pasur kujdes, pasi nëse e ekzagjerojmë, lodhja e tepërt dobëson mbrojtjen dhe na bën më të hapur ndaj sëmundjeve.
/GSh

