Urdhri i Infermierit, ndihma e materiale mjekësore në zonat e përmbytyra

Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, me një vendim të posaçëm të Këshillit të tij Kombëtar, ka miratuar mbështetjen e kolegëve të vet infermierë në 10 qendrat shëndetësore dhe ambulancat e fshatrave të prekur nga përmbytjet e ditëve të fundit. Për këtë, ky Këshill Kombëtar vuri në dispozicion nga burimet e veta, duke marrë iniciativën që të përgjysmojë honoraret e pagat, por edhe duke gjetur burime të tjera prej kursimeve, një fond prej 5 milionë lekësh (500 mijë lekë të reja) dhe përgatiti 10 pako me materiale mjekësore, materiale mjekimi, medikamente të urgjencës, me serume, me termometra etj, dhe me të gjitha mjetet e domosdoshme për të dhënë ndihmën e parë e pritjen e një urgjence, e do t’i çojë ato në të 10 qendrat shëndetësore apo ambulancat e fshatrave të përmbytur në zonat e Vlorës dhe Fierit. Teksa të pranishëm do të jenë edhe përfaqësues të Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, duke dashur kështu që të sensibilizojmë e kontribuojmë në ndihmën dhe ngritjen e moralit të këtyre profesionistëve të kujdesit shëndetësor, për t’u treguar se ata nuk duhet të ndihen vetëm në këto momente të vështira të ofrimit të kujdesit, por se ne do të jemi gjithmonë pranë tyre për t’i mbështetur. Sigurisht, që kjo është një ndihmë modeste, (edhe pse një fond i tillë për medikamente këtyre ambulancave u akordohet thuajse në harkun kohor të një viti), por gjithsesi mendojmë se ajo është një ndihmë jo vetëm për profesionistët tanë të kujdesit që ata të mos ndihen keq kur u shërbejnë banorëve në këto zona. Por në të njëjtën kohë ajo është edhe një mbështetje e mirë edhe për të gjithë banorët e këtyre zonave të përmbytura që do ta përfitojnë kujdesin e ofruar prej tyre. Kujdes ky që do të mbërrijë pikërisht tek personat e sëmurë, të ftohur, fëmijë e të moshuar që iu është dashur të kalojnë momente të vështira shëndetësore gjatë këtyre ditëve nën efektin e përmbytjeve. Kështu, ne shpresojmë që t’u ndodhemi pranë, por në të njëjtën kohë, t’u shprehim edhe solidaritetin tonë atyre dhe u bëjmë thirrje gjithë innstitucioneve që të mos i lëmë vetëm banorët e zonave të përmbytura nën efektet e fatkeqësisë natyrore të ditëve të fundit. 

SHKARKO APP