Urdhri i Ramës, vinë dorëheqjet e para nga drejtorët e Hipotekës
Vinë dorëheqjet e para pas urdhrit të një dite më parë të Kryeministrit Edi Rama, i cili u la afat 24 orë drejtorëve të Hipotekave në mbarë vendin për t’u larguar nga detyra.
Në qarkun e Elbasanit është dorëhequr pas urdhrit të kryeministrit Rama drejtori i Hipotekës, Oltjon Kokunja. Kjo ka shkaktuar një lloj anomalie në punën e këtij institucioni pasi qytetarë të shumtë kanë qenë në radhë në pritje të Drejtorit.
Po kështu drejtori i Hipotekës së Gjirokastrës, Meleq Karabina, deklaron se do të japë sot dorëheqjen por pa përcaktuar kohën se kur.
Edhe Mimoza Kola, kreu i komanduar i Hipotekës Fier mesditën e sotme do të ketë gati dorëheqjen e saj për t’ia dorëzuar Drejtorit të Përgjithshëm të ZRPP-së Artan Lame.
Lajmi konfirmohet nga vet Kola e cila në një bisedë telefonike ka pohuar se për momentin nuk e ka kryer për shkak të dyndjeve të qytetarëve për problemet e tyre në dyert e institucionit që ajo drejton.
Kola ka një periudhë pune 3 vjeçare në ZRPP Fier si inxhiniere ndërtimi ndërkohë që me vendosjen e Ministrave të përkohshëm para zgjedhjeve të 25 qershorit u largua Gani Bendo i LSI dhe u vendos Mimoza Kola e PS.
Kola pohoi se mesditën e sotme dorëheqja e saj si drejtore e ZRPP Fier do të jetë gati pasi ky është një urdhër i Kryeministrit.
“Do të jenë ata që do të vendosin nëse unë do të rikthehem përsëri pas verifikimeve që ata do të bëjnë”.
Ndërkohë Drejtori i komanduar i Hipotekës së Shkodrës, Ilir Dibra që ka zëvendësuar drejtorin e Hipotekës së shkarkuar gjatë fushatës elektorale Edmond Ndou po zhvillon një mbledhje me stafin dhe sipas informacioneve paraprake mësohet se ky i fundit do të diskutojë mbi procedurën e firmosjes së dorëheqjes së tij. Dibra ka thënë se vetëm pas përfundimit të mbledhjes do të bëjë me dije vendimin përfundimtar të tij mbi largimin apo jo nga ky post.
Në Durrës, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme prej një muaji e gjysmë drejtohet nga drejtori i komanduar Ardian Kona që mbante postin e nënëdrejtorit të Hipotekës.Ai zëvendësoi Andi Durmishin i cili dha dorëheqje pasi u angazhua në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 25 qershorit pranë deputetes Milva Ekonomi. Puna vijon normalisht dhe pritet që gjatë muajit gusht të ketë fluks edhe më të lartë për shkak të emigrantëve që kthehen për pushime dhe të cilët i drejtohen këtij institucioni për të kryer procedura të ndryshme lidhur me pronësinë e tyre.
Drejtori i Hipotekës së Beratit, Robert Koci, i cili ka marrë detyrën vetëm një muaj më pare ende nuk është paraqitur në punë. Nuk ka asnjë deklaratë nëse do japë apo jo dorëheqjen.
Në Dibër puna vijon normalisht. Ende nuk flitet për dorëheqje të kreut të Hipotekës Fatmir Mikli.
Rama: Drejtorët e Hipotekave të firmosin dorëheqjen, një mal me akuza
Pasdites e së enjtes, kryeministri Edi Rama mblodhi në një takim drejtorët e Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për tua thënë në sy që duhet të japin menjëherë dorëheqjen nga detyra.
Një ndër arsyet e kësaj kërkese, sipas kreut të qeverisë, është mungesa e seriozitetit dhe e përgjegjshmërisë për t’iu përgjigjur ankesave të qytetarëve.

