Vaksinat edhe përmes Turqisë, zbardhet marrëveshja Rama-Erdogan

Në vijim të nënshkrimit të Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë gjatë ditës së djeshme në Ankara është nënshkruar edhe marrëveshja ndërmjet qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim në fushën e Shëndetësisë. Marrëveshja e firmosur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Dr.Fahrettin Koca,  Ministri i Shëndetësisë së Turqisë, ka për qëllim të mbështesë dhe përmirësojë shkëmbimin e njohurive, përvojës, shërbimeve dhe teknologjisë midis dy vendeve, për të forcuar sistemet dhe politikat shëndetësore, përmes praktikave të përparuara akademike dhe shkencore. Bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e shëndetësisë është një faktor i rëndësishëm në zhvillimi kombëtar, pasi vendet do të shkëmbejnë eksperiencë dhe bashkëpunojnë, në forcimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor, shëndetin publik, shkëmbimi i njohurive e përvojave mbi barnat, pajisjet mbrojtëse dhe vaksinat, në lidhje me përgjigjen ndaj pandemisë COVID-19. Marrëveshja mes dy Ministrive të Shëndetësisë do të shtrihet edhe në bashkëpunimin  për sistemet dhe teknologjitë e informacionit shëndetësor, statistikat, sistemet e menaxhimit të informacionit spitalor, në shërbimet e akreditimit dhe kontrollit të cilësisë, në farmaceutikë, pajisje mjekësore, vaksina, bioteknologji, etj. Një pikë tjetër e rëndësishme e kësaj marrëveshje është bashkëpunimi në emergjenca, fatkeqësi natyrore dhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta të punës si organizimi i përbashkët i javëve shëndetësore , forumeve të biznesit shëndetësor etj. Në marrëveshjen e rinovuar parashikohet gjithashtu se, Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Turqisë do të vazhdojë të ofrojë trajtim falas, për 100 pacientë në vit nga Shqipëria për ndërhyrje të vështira, që kanë nevojë për trajtim tejet të specializuar.

SHKARKO APP