Vangjel Tavo: Diktaturat nisin me shtypjen e fjalës së lirë
Ish-deputeti i LSI-së Vangjel Tavo i është bashkuar reagimeve të shumta të politikës dhe opinionit publik që shkaktoi sulmi i Qeverisë “Rama” ndaj televizionit informativ “Ora News”.
Reagimi i ish-deputetit
“Të gjitha tiranitë sundojnë përmes mashtrimit dhe forcës, por pasi u zbulohet mashtrimi ata mbështeten ekskluzivisht tek forca.” – George Orwell
Diktaturat nisin me shtypjen e fjalës së lirë. Me mbylljen e televizioneve, me kontrollin e shtypit të shkruar, rrjeteve sociale dhe të gjitha mjeteve të komunikimit.
Përse bëhet kjo? Sepse diktatorët kanë frikë. Ata kanë frikë nga e vërteta: nga e vërteta e papunësisë, mjerimit, dëshpërimit, braktisjes, korrupsionit, mungesës së shpresës, shëndetësisë së rrënuar, arsimit të degraduar, paligjshmërisë, shkatërrimit të institucioneve, dhunimin e demokracisë, e plot e plot mëkate të tjera të mëdha që kjo qeveri ka kryer e vazhdon të kryejë ditë pas dite mbi të gjithë shqiptarët.
Pasi i vrau shpresën të rinjve, ofendoi artistët, u tall me të varfërit, u rrëmbeu pronat njerëzve të thjeshtë, dëboi me qindra mijëra njerëz nga atdheu i tyre, kapi drejtësinë, e zhyti vendin në një mjerim të paimagjinueshëm, diktatura vazhdon me misionin e saj të ligë për të vrarë fjalën e lirë.
Por, çdo diktaturë, si në lashtësi ashtu edhe në kohët moderne nuk ka prevaluar kurrë. Askush nuk mund t’i shtypë më shqiptarët.
Shikohuni në pasqyrën e së vërtetës o diktatorë e do shihni sesa xholë jeni në realitet.