Vapë përvëluese dhe pluhur në ajër, ja çfarë pritet këtë të diel
Dita e diel do të karakterizohet nga mot kryesisht i qëndrueshëm në të gjithë vendin, ndërsa temperaturat do të mbeten shumë të larta, duke arritur deri në 38 gradë Celsius në disa zona.
Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak (SHMU), pjesa më e madhe e territorit do të dominohet nga moti i kthjellët, me kalime vranësirash mesatare dhe herë pas here më të dendura, kryesisht në zonat kodrinore dhe malore.
Në lindje të vendit, vranësirat pritet të shoqërohen me reshje të dobëta dhe të përkohshme shiu gjatë orëve të mesditës dhe pasdites.
Temperaturat më të larta do të regjistrohen në Elbasan, Berat, Fier dhe Sarandë, ku termometri pritet të shënojë deri në 38°C, ndërsa në Tiranë maksimumi do të arrijë në 37°C.
Era do të fryjë nga veriperëndimi në jugperëndim me shpejtësi mesatare rreth 3 m/s, ndërsa përgjatë bregdetit dhe në zonat luginore mund të forcohet përkohësisht deri në 7 m/s.
Deti do të jetë i qetë, me valëzim të ulët prej 1-2 ballë, duke krijuar kushte të favorshme për lundrim.
Meteorologët paralajmërojnë gjithashtu për përqendrim të lartë të grimcave të pluhurit dhe rërës në atmosferë, të cilat mund të ndikojnë në cilësinë e ajrit dhe të ulin dukshmërinë në disa zona.
KOHA JONË SONDAZH

