Varreza memoriale për 4500 të vrarët nga regjimi komunist, Kaceli: Isha 9-vjeç kur babai u vra
Unioni Mbarëkombëtar i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, nuk heq dorë nga kërkesa për ngritjen e një parcele përkujtimore për 4500 të zhdukurve nga regjimi komunist. Iniciativën e mbështesin edhe komunitetet fetare të vendit tonë.
Osman Kaceli është një prej mijëra të persekutuarve të sistemit komunist. Një shpërthim në ambasadën sovjetike nxiti autoritetet e kohës të pushkatonin 22 qytetarë, mes të cilëve edhe babain e Osmanit, asokohe 43-vjeç.
“Isha vetëm 9 vjeç. Ishim 7 fëmijë dhe nëna që na çuan në Skrapar. Motra më e vogël 3 vjeç, më e madhja 17. Kemi punuar punë të rënda”.
Ai e quan veten me fat pasi në vitin ‘93 arriti të gjejë eshtrat e të atit. 30 viteve pas daljes nga regjimi komunist, janë me mijëra të pushkatuar të cilët nuk kanë një varr.
“Misionin Kombëtar i Kujtesës” është angazhimi që u firmos simbolikisht nga drejtuesit e komuniteteve fetare së bashku me kreun e Unionit mbarëkombëtar të të përndjekurve politike.