Vasili: Çdo ditë e Metës në burg, gur mbi kokën e atyre që po e mbajnë aty
Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, teksa flet për Ilir Metën dhe situatën e tij me drejtësinë, thotë se çdo ditë që presidenti i PL-së qëndron atje është një gur i madh në kokën e atyre që po e bëjnë. Vasili theksoi se veprimet e SPAK vijnë “era mafie dhe jo era ligj”, ndërsa shtoi se ndaj Metës nuk ka asnjë provë dhe për këtë arsye ata që po e mbajnë në burg do të përballen me ligjin.
”Në radhë të parë, ata duhet të investojnë të shpëtojnë kokën e tyre sepse janë zhytur në një paligjshmëri. Veprimet e tyre vijnë era mafie jo era ligj. Ndaj Metës ka zero prova e fakte, se këta nuk të kursejnë fare. Njëkohësisht shto edhe rrëmbimin, çdo sekondë do të jetë ditë burg për ata që po e bëjnë. Meta drejton Partinë e Lirisë. Partia për shkak të këtij kufizimi juridik, motivon shumë më tepër. Përsëris se çdo ditë është më keq për ata që e kanë bërë sepse do të dënohen më keq. Kanë përdorur dy standarde dhe janë faje shumë të rënda që nuk amnistohen dot”, tha Vasili në ”A2cnn”.
Sa i përket situatës së opozitës, deputeti i Partisë së Lirisë u shpreh se ajo sot ndodhet në një nga momentet më të mira të saj. ”Opozita është në një nga momentet më të mira të saj, jo vetëm për shkak të kompaktësimit, por edhe motivimit, i cili është sot më lartë se asnjëherë më parë”, tha Vasili.