Vasili e Manjani: Dekriminalizimi dhe drejtësia kanë nevojë për konsensus

 

Përmes një konference për shtyp të mbajtur në selinë e LSI-së, kreu i grupit parlamentar të kësaj force politike, Petrit Vasili ka folur në lidhje me procesin e dekriminalizimit të politikës shqiptare, por edhe për reformën në drejtësi, të cilësuara të dyja këto si tepër të rëndësishme për integrimin europian të vendit.

Gjithashtu, Vasili ka prezantuar edhe zëdhënësin e LSI-së në lidhje me reformën në drejtësi, që do të jetë Ylli Manjani, njëkohësisht edhe nënkryetar i forcës politike të udhëhequr prej Ilir Metës.

Në fjalën e tij, Vasili është shprehur rreth një qëndrimi të unifikuar brenda mazhorancës mbi çështjen e dekriminalizimit, për të cilën tha se “është tepër e rëndësishme të përmbyllet sa më shpejtë dhe me konsensus të gjerë politik, pasi qeveria nuk ka më kohë për të humbur, për t’u fokusuar në gjëra të tjera më të mëdha, me të cilat përballet vendi”.

Sa i përket reformës në drejtësi, Vasili deklaroi se kjo reformë “kërkon gjithashtu ecjen në rrugën e mirëkuptimit politik, për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme në procesin e integrimit të vendit, por edhe sepse është një sfidë që kërkon zgjidhje”. Për këtë reformë, Vasili nënvizoi edhe përfshirjen e Komisionit të Venecias, raporton TCh.

Edhe zëdhënësi i LSI-së për reformën në drejtësi, Ylli Manjani ka theksuar rëndësinë e kësaj reforme, duke e quajtur atë si “projektin më të rëndësishëm të axhendës shtetërore”. Sipas tij, “kjo reformë përban një listë të gjatë me projektligje, të cilat janë të një rëndësie të veçantë dhe kanë nevojë për debat publik dhe pasjen e një konsensusi të gjerë. E nëse nuk bëhet me konsensus, atëherë reforma në drejtësi – thekson Manjani, – do të ishte e paplotë”.

Manjani ka nënvizuar edhe njëherë diçka që njihet prej vitesh tashmë, faktin që besueshmëria e qytetarëve te drejtësia është pothuajse zero. Për të ndrequr këtë, sipas tij duhet të mos politizohet gjithçka, por për të zhvilluar debat të shëndetshëm në ndërtimin e shtetit.

SHKARKO APP