Vasjari: Strasburgu thotë që një gjykatë apo institucione si AMA nuk mund të përcaktojnë ç’është gazetaria

“Ne duhet të jemi kundër këtij ligji sepse liria e shprehjes është një liri për të cilën shoqëria shqiptare ka më shumë nevojë sot, është më e kërcënuar sot se sa liria e mbrojtjes dhe e respektimit të reputacionit”. Kështu mendon analisti Arian Vasjari, i cili i ftuar në “Real Story” në News24 tha se qasja ndaj paketës antishpifje të miratuar sot nga parlamenti duhet të jetë më racionale.

Sipas tij, Strasburgu thotë që nuk mund të marrë kurrë përsipër një gjykatë dhe aq më tepër institucionet e varësisë siç është AMA etj të përcaktojnë se ç’është gazetaria, se si duhet bërë gazetaria.

“Problemi është tek intecioni i atij që e emeton lajmin. Unë dhe ti jemi kundër këtij ligji por unë them të qasemi në një mënyrë më racionale. Nëse kryeministri thotë një lajm fake, ka instrumente për ta ndëshkuar, instrumente politikë, kur të vijnë zgjedhjet nuk e votojnë njerëzit. Nuk është kjo arsyeja pse duhet të jemi kundër këtij ligji. Sepse ne nuk mund të pretendojmë që do të instalojmë instrumente ligjorë për të dënuar një kryeministër që gënjen. Ne duhet të jemi kundër këtij ligji pavarësisht nëse kryeministri apo çdo funksionar publik thotë gënjeshtra. Duhet të jemi kundër sepse liria e shprehjes është një liri për të cilën shoqëria shqiptare ka më shumë nevojë sot, është më e kërcënuar sot se sa liria e mbrojtjes dhe e respektimit të reputacionit. Elementi i dytë, Strasburgu thotë që nuk mund të marrë kurrë përsipër një gjykatë dhe aq më tepër institucionet e varësisë siç është AMA etj të përcaktojnë se ç’është gazetaria, se si duhet bërë gazetaria. Praktikisht, ky si ligj ka disa elementë që AMA gati-gati t’i imponojë gazetarit se si duhet bërë gazetaria. Me këtë jam dakord që të jemi kundër por jo të themi që kryeministri gënjen, atëherë ne nuk duhet të bëjmë një ligj të tillë”, deklaroi Vasjari.

Ai tha se media shqiptare ka probleme, por se sërish mendon se projekt-ligji i miratuar sot nuk duhet që të kishte kaluar.

Vasjari thekson se liria e shprehjes në Shqipëri ka probleme të theksuara, andaj ky ligj do të ishte për rrjedhojë shumë i ashpër.

Ka qenë debat historikisht i komplikuar. Ne po përpiqemi që të rregullojmë me ligj. Interneti sot është tipiku, ku mungon rregulli. Duhet një qasje gjakftohtë. Ka liri të shprehjes në anën tjetër dhe mbrojtjen e dinjitetit në anë tjetër. Strasburgu thuhet se duhet liri shprehje, ndërsa duhet mbrojtur dinjiteti. Unë do e konsideroja ligjin të panevojshëm. Mekanizmat vetë rregullues janë mekanizmat me të shëndetshëm. Unë besoj se të gjithë gazetarët kanë kod të tyre etik. Në Shqipëri liria e medias ka probleme të theksuara dhe ndaj nuk mund të bëhet ky ligj tani në këto momente.  Liria e shprehjes nënkupton edhe përgjegjësi nga pas. Por, sërish mendoj se ky ligj nuk duhet miratuar. Ndonëse unë mendoj se abuzimi me lirinë e shprehjes ka prekur kufi të paimagjinueshëm, unë them se duhet forcuar liria e shprehjes akoma”, tha Vasjari.

SHKARKO APP