Vatër e re zjarri në Vlorë, rrezikohen pishat pranë Ujit të Ftohtë
Një tjetër vatër zjarri është regjistruar pasditen e sotme në Vlorë, pranë hotelit “New York”, në zonën e Ujit të Ftohtë.
Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me pisha, duke shkaktuar shqetësim te banorët dhe pushuesit që ndodheshin në zonë. Pas sinjalizimit për zjarrin, në vendngjarje kanë mbërritur dy automjete zjarrfikëse, ndërsa efektivët kanë nisur menjëherë ndërhyrjen për të izoluar dhe shuar flakët.
Ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve zjarrfikëse bëri të mundur vënien nën kontroll të situatës dhe shuarjen e zjarrit. Megjithatë, rreziku i riaktivizimit mbetet, pasi sipas të dhënave paraprake, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga humusi në nëntokë.
Kjo shtresë vijon të digjet në thellësi dhe, e favorizuar nga era, mund të shkaktojë riaktivizim të flakëve në sipërfaqe. Për këtë arsye, zjarrfikësit kanë vijuar monitorimin dhe punën në terren edhe pas shuarjes së vatrës.
Forcat zjarrfikëse po marrin masa për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm dhe për të shmangur përhapjen e zjarrit drejt sipërfaqeve të tjera me bimësi. Deri tani, situata raportohet nën kontroll dhe nuk bëhet me dije për persona të lënduar apo dëme të tjera të raportuara.
KOHA JONË SONDAZH

