Vazhdon lufta në Ukrainë, Zelensky: Evropa veproi shumë vonë për të ndalur pushtimin rus

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden do të takohet këtë të premte me refugjatët ukrainas në kufirin polako-ukrainas. Më shumë se dy milionë ukrainas kanë ikur në Poloni për t’i shpëtuar luftimeve.

Një muaj pas pushtimit të Rusisë, presidenti i Ukrainës Volodymr Zelensky u tha vendeve evropiane se vepruan shumë vonë ndaj kërcënimit të Moskës, duke sugjeruar se sanksionet e mëparshme mund të kenë penguar luftën.

Ai u bëri thirrje atyre që “të mos vonohen” në miratimin e kërkesës së Ukrainës për t’u bashkuar me BE-në.

Fjalimi i Zelensky pasoi një ditë intensive samitesh në Bruksel midis vendeve perëndimore kundër pushtimit të Rusisë.

Biden tha se NATO “do të përgjigjej” nëse Rusia përdor armë kimike në Ukrainë, por nuk dha detaje se si. Perëndimi ka paralajmëruar për një skenar të tillë pasi lufta në Ukrainë po ‘zvarritet’ në javën e saj të pestë.

NATO konfirmoi gjithashtu se do të dërgonte 40,000 trupa në total në Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani, vendet në kufi me Ukrainën.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson i tha BBC-së se Ukraina mund ta fitojë luftën, por Putini nuk duket i interesuar për paqen.

Në fushat e betejës, një anije ruse u shkatërrua në qytetin port të të Berdyansk të enjten, sipas zyrtarëve ukrainas.

SHKARKO APP