Vdekja e 63-vjeçarit në aksident, familjarët: I qëllimshëm! Policia: U përplas për shkaqe shëndetësore
Nadir Gjata, humbi jetën në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne pranë portit të Vlorës. Ngjarja u shënua rreth orës 04:00, në lagjen “28 Nëntori”, në afërsi të vendit të quajtur “Kapelja”.
Fillimisht familjarët e pronarit të biletarisë kanë ngritur pretendime se ngjarja mund të jetë e qëllimshme. Sipas tyre viktima ka një plagë pas koke që mund të jetë shkaktuar për ti marrë paratë.
63-vjeçari ishte bashkëpronar i një agjensi biletarie pranë portit të Vlorës. Ai po kthehej nga agjencia me mjetin e tij kur ka humbur kontrollin e mjetit për shkaqe shëndetësore. Për pasojë ka përplasur një automjet të parkuar taksi, i cili gjatë zhvendosjes ka përplasur 2 automjete të tjera të parkuara.
Po ashtu familjarët u ankuan pranë oficerëve të policisë se gjatë aksidentit ka humbur çanta e viktimës, ku mbante sendet personale, dokumentet dhe paratë. Policia e Vlorës bëri të ditur zyrtarisht se nga këqyrja paraprake e trupit, eksperti mjekoligjor nuk ka konstatuar shenja dhune.
Hetimet po kryhen nga prokuroria për dokumentimin e plotë dhe po bashkëpunohet me Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 63-vjeçarit, Nadir Gjata.
KOHA JONË SONDAZH

