Vdekja e binjakëve, AKU: Kemi nisur hetimet

Vdekja e binjakëve 5 muajsh në qytetin e Beratit, ka bërët që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të marrë masa të menjëhershme për verifikimin e dyshimit se vdekja e foshnjave ka ardhur si pasojë e helmimit të qumështit pluhur. AKU-ja, përmes një deklarate për shtyp, bën të ditur se janë marrë mostra të qumështit pluhur për bebe për të analizuar produktin por edhe ujin që është përdorur për tretjen e produktit.

AKU ka njoftuar se produktet e kësaj kategorie në treg kontrollohen dhe janë produkte që vijnë të certifikuara nga vendet e BE-së. Foshnjet ndërruan jetë tre ditë më parë në Berat, ndërsa ishin vetëm 5-muajshe.

Familja Agalliu, dyshon te qumështi me kuti që i kishin ushqyer, ndërsa mjekët te asfiksia nga soba, ndërsa hetimet vijojnë. Nëna e binjakëve Merushe Agalliu u shpreh se fëmijët i ushqente me qumësht kutie dhe se nuk kishin shfaqur asnjëherë probleme. Ky është rasti i tretë në pak ditë, pasi para 4 ditësh ndërroi jetë një foshnje në Kavajë, ndërsa para 8 ditësh një në Librazhd.

Njoftimi i plotë

AKU, në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe shëndetësisë, merr masa të menjëhershme për verifikimin e dyshimit mbi helmimin e foshnjave në Qarkun e Beratit. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, referuar rastit mbi dyshimin e helmimit nga qumështi pluhur për bebe, të dy foshnjeve në qarkun e Beratit, informon se ka marrë masa të menjëhershme në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe institucionet e shëndetësisë, megjithëse nuk ka dalë ende ekspertiza mjeko- ligjore.

Janë marrë mostra për analizim të produktit “qumësht pluhur për bebe”, duke përfshirë edhe analizimin e ujit që është përdorur për tretje e produktit, apo edhe rrethana të tjera që organet kompetente po hetojnë. AKU siguron konsumatorin se produktet e kësaj kategorie në treg kontrollohen dhe janë produkte që vijnë të çertifikuara nga vendet e BE-së, sigurisht që ndiqen nga Operatorët e Biznesit Ushqimor nën përgjegjësinë kryesore të tyre, edhe nën monitorimin e rreptë të Autoritetit

Kombëtar të Ushqimit. Gjithashtu, ju bëjmë me dije se, referuar sistemit RASFF (Sistemi i Informimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë) i krijuar nga BE, pas veifikimeve rezultoi se nuk ka pasur asnjë njoftim të kategorisë “Alert” për këto lloj produktesh. AKU, në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore për konsumatorin, ka marrë të gjitha masat e nevojshme për verifikim dhe gjurmimin e rastit, edhe pse ende nuk është shprehur Mjekësia Ligjore.

SHKARKO APP