Vdekja e mjeshtrit të këngës dibrane, Basha: Breza të tërë artdashësish u rritën me të
Për vdekjen e mjeshtrit të këngës dibrane, Qerim Sula ka reaguar kryedemokrati Lulzim Basha duke shprehur hidhërimin e tij.
Ai është shprehur se breza të tërë artdashësish të muzikës popullore shqiptare u rritën me këngët epike të Qerim Sulës, kësaj ikonë të këngës dibrane të shumënjohur në të çdo trevë ku flitet e këndohet shqip. Basha i ka shprehur ngushëllimet dhe lutjet familjes Sula që humbi njeriun e saj të shtrenjtë.
Mesazhi i plotë i Bashës:
Mesazhi i kryetarit Basha për ndarjen nga jeta të rapsodit të njohur Qerim Sula Me hidhërim mora vesh për ndarjen nga jeta të rapsodit të njohur Qerim Sula. Breza të tërë artdashësish të muzikës popullore shqiptare u rritën me këngët epike të Qerim Sulës, kësaj ikonë të këngës dibrane të shumënjohur në të çdo trevë ku flitet e këndohet shqip.
Duke marrë stafetën e një historie të shkëlqyer muzikore nga legjenda Hazis Ndreu, interpretimi i këngës epike nga Qerim Sula mbushte me krenari çdo shqiptar, edhe në një kohë të vështirë kur kënga epike nuk shihej me sy të mirë nga diktatura, sepse i bënte hije përpjekjes shpirtvogël për ta zëvendësuar trashëgiminë muzikore të vendit me këngët për kultin e diktatorit. Këngët e Qerim Sulës ishin këngë të qëndresës, këngë të mbijetesës, prandaj edhe kumbonin kudo, si hymne që bartin krenarinë dhe vetëdijen se folklori e historia jonë do të triumfote mbi përpjekjet e diktaturës për zvetënimin e “njeriut të ri”, shqiptarit të kthyer në skllav.
Qerim Sula i këndoi jo vetëm trimërisë së dibranëve përballë okupatorëve, ai i këndoi jo vetëm namit të mirë të kësaj trimërie, por ai i ngriti himn mbijetesës së kombit tonë. Në dy kohë, Qerim Sula dha modelin se si artisti nuk plaket, nuk del jashtë kohe, kur i mbetet besnik muzikës së vërtetë të popullit. Ngushëllimet dhe lutjet e mija shkojnë sot tek familja Sula që humbi njeriun e saj të shtrenjtë. Dibranët dhe mbarë shqiptaria ndahen sot nga kjo ikonë virtuoze e këngëve të qëndresës, por jo nga vepra artistike e Qerim Sulës që e përjetë si trashëgimi brez pas brezash dhe si frymëzim i përditshëm për secilin prej nesh. Nuk mund ta përcjell këtë ngushëllim përveçse me një prej hymneve të Dibrës e mbarë Shqipërisë që ngren peshë shpirtin e çdo shqiptari patriot, sot e sa të jetë jeta. I lehtë i qoftë dheu!