Vdekja e punëtorit në Korçë, në pranga 2 përgjegjësit e firmës
Policia e Korçës, ka vënë në pranga përgjegjësin teknik dhe manovratorin e firmës së ndërtimit, që kryente punime në pallatin në të cilin u aksidentuan gjatë punës dy punëtorë, njëri prej të cilëve gjeti vdekjen ditën e premte. Sipas deklaratës së Policisë së Shtetit, thuhet se këta shtetas dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi gjatë procesit të hedhjes së betonit në objekt, është dëmtuar një segment metalik i presës, i cili ka goditur në kokë duke i shkaktuar vdekjen Elvis Josifi 36-vjeç, si dhe ka dëmtuar jashtë rrezikut për jetën shtetasin P.F, 59-vjeç, të dy banues në Korçë.
Pavarësisht ndërhyrjes me shpejtësi të punëtorëve të tjerë, por edhe babait dhe vëllait të tij me të cilët punonte në kantierin e firmës “Konstruksion 93”, Elvis Josifi nuk mundi që të mbijetonte pasi goditja ishte fatale duke i marrë jetën në vend.
Në kantierin ku ndodhi ngjarja e rëndë, është parë edhe një varg hudhre, që simbolizon mbrojtjen nga syri i keq. As vargu i hudhrës për syrin e keq se ndaloi dot fatkeqësinë në pallatin që po ndërtohej, ku një 35-vjeçar ndërroi jetë dhe një tjetër u plagos. Deri tani janë ngritur 4 kate dhe incidenti i rëndë në vendin e punës solli marrjen e jetës së një të riu. Sipas burimeve, shkak mund të jenë kushtet e këqija të punës dhe vjetërsia e mjeteve të tyre.
Deklarata e plotë e Policisë
Policia arreston në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, përgjegjësin teknik dhe manovratorin e firmës së ndërtimit, që kryente punime në pallatin në të cilin u aksidentuan gjatë punës dy punëtorë, njëri prej të cilëve gjeti vdekjen.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për sqarimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 03.01.2020, ku në lagjen nr.9, në një pallat në ndërtim, gjatë punës u aksidentuan dy punëtorë njëri prej të cilëve për pasojë gjeti vdekjen, ndërsa tjetri ndodhet në Spital jashtë rrezikut për jetën, sqarojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
• F.P., 67 vjeç, banues në Korçë (me detyrë përgjegjës teknik i firmës së ndërtimit).
• A.Z., 41 vjeç (me detyrë manovrator).
Këta shtetas dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi gjatë procesit të hedhjes së betonit në objekt, është dëmtuar një segment metalik i presës, i cili ka goditur në kokë duke i shkaktuar vdekjen shtetasit E.J., 36 vjeç, si dhe ka dëmtuar jashtë rrezikut për jetën shtetasin P.F., 59 vjeç, të dy banues në Korçë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.