Vdekjet në Gjirin e Lalëzit, QSUT: Diagnoza helmim nga kërpudha. Djali akuza mjekëve

Do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore ajo që do të përcaktojë shkakun e vdekjes së çiftit Haliti dhe të moshuarës 78-vjeçe, por sipas QSUT, ata kanë humbur jetën si pasojë e helmimit nga kërpudhat. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku ndërruan jetë Elfete, Afrim e Ferzinaze Haliti, përmes një deklarate për mediat, sqaron se pacientët ishin në gjendje të rëndë dhe pasi i janë kryer të gjitha ekzaminimet, janë hospitalizuar fillimisht në Shërbimin e Toksikologjisë, por pas përkeqësimit të gjendjes së tyre, u transferuan në Shërbimin e Reanimacionit Qendor.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ata nuk mundën të mbijetonin, ku fillimisht ka ndërruar jetë Elfete Haliti, një ditë pas helmimit më 6 maj. Një ditë pas saj, më 7 maj, ndërroi jetë edhe i biri, Elfete Haliti, ndërsa një ditë pas tij, më 8 maj ka ndërruar jetë edhe bashkëshortja e këtij të fundit, Ferzinaze Haliti.

“Paraditen e dt. 06.05.2021 në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme QSUNT, pacientët I. H mosha 78 vjeç, A. H mosha 56 vjec dhe F. H mosha 47 vjeç, janë paraqitur me ambulancë, me diagnozë “intoksikacion nga kërpudha. Gjendja e pacientëve paraqitej e rëndë. Pasi i janë kryer gjitha ekzaminimet dhe konsultat sipas protokolleve mjekësore te urgjencës dhe janë hospitalizuar fillimisht ne Shërbimin e Toksikologjisë dhe në mbrëmje për shkak se gjendja e tyre u përkeqësua u transferuan në Shërbimin e Reanimacionit Qendor. Pavarësisht përpjekjeve te mjekeve, ata kanë ndërruar jetë pranë këtij shërbimi: pacientja I.H dt 06.05.2021, pacienti A. H ne dt. 07.05.2021 dhe pacientja F. H ne dt. 08.05.2021”, thuhet në reagimin e QSUT.

Djali i viktimave në një konferencë për media tregoi se ka biseduar me babain e tij në telefon dhe e ka vërejtur në të folur se ai nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore. Ai ka treguar se edhe qeni që ka qenë bashkë me familjarët e tij ka ngordhur, ndonëse nuk ka konsumuar kërpudha. Familjarët e tij edhe më herët kanë mbledhur këpurdha dhe i njihnin ato mirë.

SHKARKO APP