Vdekjet në rrugë, Shqipëria ndër vendet me numrin më të lartë
Në Shqipëri ndodhin mesatarisht 4 aksidente rrugore çdo ditë dhe thuajse çdo 24 orë, një njeri humb jetën. Për ekspertin Artur Sulçe, reduktimi i aksidenteve dhe fataliteteve si pasojë e tyre mund të ndodhë nëpërmjet një “recete” me tre kushte.
”Duhet rritur kultura e sigurisë rrugore te përdoruesit e automjeteve dhe këmbësorët; duhet menaxhuar trafiku në rrugët urbane dhe interurbane; të gjithë institucionet që kanë pjesë te elementi aksident, duhet të punojnë në grup dhe në mënyrë sistematike”.
Grupmosha 18-25 vjeç përbën edhe numrin më të madh të të përfshirëve në aksidente rrugore. Vdekjet si pasojë e aksidenteve rrugore përllogariten në vlerën e rreth 1,5% të vdekjeve totale të ndodhura në vend, kjo është një prej arsyeve se pse Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të humbjes së jetës nga aksidentet rrugore në raport me popullsinë.