Vd*kja e 12-vjeçarit, QSUT: Shkak miokardi akut
Teksa shpreh ngushëllimet tek familjarët, QSUT në reagimin për mediat thotë se 12-vjeçari u nda nga jeta si pasojë e miokardit akut. QSUT shpjegon se i mituri u shtrua në Pediatrinë e QSUT më datë 7 janar 2025 dhe ka ndërruar jetë më datë 8 janar 2025, në orën 01:45.
“QSUT i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së 12-vjeçarit L.S në këtë moment të vështirë. Nisur nga interesi i publikut për rastin tragjik të ndarjes nga jeta të 12-vjeçarit, informojmë se pacienti L.S. është hospitalizuar në Spitalin Pediatrik të QSUT më datë 7 janar 2025 dhe ka ndërruar jetë më datë 8 janar 2025, në orën 01:45, në Shërbimin e Terapisë Intensive Pediatrike.
Pas ekzaminimeve të kryera, pacienti është diagnostikuar me miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë të vdekshmërisë. Pavarësisht kujdesit maksimal dhe trajtimeve të kryera sipas protokolleve mjekësore, ndarja nga jeta e pacientit ka qenë e pamundur të parandalohet.
Duke mirëkuptuar dhimbjen e familjes dhe interesin e publikut, QSUT riafirmon përkushtimin për transparencë dhe për ofrimin e trajtimeve më të mira për çdo pacient”, thuhet në reagim.