Veliaj: 62% e kryeqytetit ka kaluar në furnizim 24 orë në ditë
Një lajm i mirë për të gjithë banorët e kryeqytetit. Për herë të parë në këto 30 vite, falë investimeve të reja të Bashkisë së Tiranës, 62 për qind e kryeqytetit ka kaluar në furnizim 24 ujë në ditë, ndërkohë që zonat e tjera kanë përmirësim të konsiderueshëm. Nga Kombinati ku inspektoi punimet për rikonstruksionin e Rrugës “Hamdi Cullaj”, Veliaj theksoi se dyfishimi i prurjeve nga Bovilla dhe dyfishimi i filtrimit kanë prodhuar një rezultat fantastik në terren.
”Me investimin e ri në Bovillë, që s’ishte bërë për 30 vitesh, kemi kaluar në 62% të Tiranës me 24 orë ujë. Dyfishimi i prurjeve në Bovillë dhe dyfishimi i filtrimit, na kanë prodhuar një rezultat fantastik në terren. Megjithatë, do të vazhdojmë testimet dhe më vjen mirë se zona që më përpara e mbulonte Kombinati, pra zona e Astirit dhe Yzberishtit, kanë një rritje të ndjeshme të furnizimit me ujë. Ende s’jemi në24 orë ujë, por nga një herë në ditë me 2-3 orë, të shkosh në 14-15 orë, është si dita me natën. Fakti që banorët janë përgjigjur shumë pozitivisht, do të thotë se duhet të vazhdojmë derisa ta çojmë Tiranën 100%”.