Veliaj: Dyfishuam kapacitetet për fëmijët, kopshtet hapur edhe në verë

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka përuruar sot ambientet e reja të kopshtit “Bambi” në Njësinë Administrative nr. 10. Në fjalën e tij, kreu i Bashkisë u shpreh se Tiranës i është shtuar edhe një kopsht tjetër i rikonstruktuar i cili do të mirëpresë 200 fëmijë çdo ditë. Kapaciteti i dyfishuar i vendeve ka ardhur pasi u vunë në shërbim ambiente të pashfrytëzuara më parë për shkak të lagështirës.

Veliaj bëri me dije se: “Kemi një kopsht me dyfishin e kapacitetit, i cili shkon nga 100 në 200 vende. Gjithashtu, kemi një fluks të jashtëzakonshëm kërkesash nga prindërit për të sjellë fëmijët e tyre në kopshte publike, sepse janë më të lira dhe me cilësi më të mira si në ushqim, ashtu edhe në kujdestari dhe infrastrukturë”, tha kryebashkiaku Veliaj, i cili shtoi se kopshtet nuk do të mbyllen as gjatë muajve të verës. “Lajmi i dytë i mirë është se pas disa vitesh, praktika e vendosur jo zyrtarisht në bashki që i mbyllte kopshtet gjatë muajit gusht, merr fund këtë verë. Pra, në qytetin e Tiranës kopshtet dhe çerdhet nuk do të mbyllen gjatë muajit gusht, në mënyrë që prindërit që i kanë bërë pushimet ose nuk kanë patur mundësi t’i marrin ato, të kenë një hapësirë ku të lenë fëmijët edhe gjatë këtij muaji”, deklaroi Veliaj.

Veliaj kërkoi mirëkuptimin e prindërve që kanë shtuar kërkesat për më shumë kopshte e çerdhe, ndërsa shprehu besimin se në vitet në vijim hapësirat do të shtohen, për të akomoduar më shumë fëmijë. Ai sqaroi gjithashtu se çdo leje e re ndërtimi do të kushtëzohet me ndërtimin e një institucioni social apo arsimor. “Me planin e ri vendor Bashkia e Tiranës do të aplikojë politikën se çdo leje ndërtimi do të kushtëzohet me ndërtimin e një kopshti, një çerdhe ose një shkolle, sepse është e vetmja mënyrë që teksa Tirana urbanizohet, krijojmë më shumë mundësi për ata që zgjedhin të jetojnë në Tiranë”, shpjegoi Veliaj.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?