Veliaj e fitoi betejën me Dukën, sikur të gjithë të luftonin njësoj

Nga: Sokrat Hoxha 

Zbythja e djeshme e Armand Dukës, i cili vendosi të shtyjë zgjedhjet për Presidentin e ri të FSHF-së pasi Gjykata e Tiranës e pezulloi nga detyra, u trumbetua me të drejtë si një fitore e Erion Veliajt.

Pas një beteje që zgjati më shumë se një muaj dhe që u karakterizua nga një sërë padish civile dhe vendime gjykate kundër Dukës, i akuzuar për manipulime të rënda të procesit zgjedhor, kryebashkiaku i Tiranës, në cilësinë e aksionerit të KF Tiranës, arriti që t’i shtynte zgjedhjet e FSHF, duke legjitimuar përpara të gjithëve se dyshimet për manipulime e abuzime ishin të vërteta dhe se Presidenti i FSHF duhet të zgjidhet përmes një procesi transparent.

Por, fitorja e djeshme e Veliajt, ka sjellë edhe një fitore të dytë, shumë të rëndësishme, e cila lidhet me faktin se Armando Duka, me shtyrjen që i bëri zgjedhjeve për kreun e FSHF-së, ka pranuar si legjitime Shoqatën Rajonale të Futbollit të Tiranës, e cila tashmë me vendim të gjykatës drejtohet nga Eduart Prodani. Ky i fundit u regjistrua në gjykatë si drejtues i SHRF-së Tiranë, pas mbledhjes ku shumica e shoqatave të kryeqytetit nuk njohën zgjedhjet e orkestruara me dirigjim nga zyrtarët e FSHF-së në fillim të janarit.

SHRF-ja e Tiranës ka qenë në fakt nismëtarja e shumë padive civile të ngritura kundër Dukës dhe i ka fituar të gjitha në gjykatë, duke i hapur jo pak telashe zyrtarëve të FSHF-së, të cilët janë sot nën hetim edhe për shpërdorim të detyrës dhe fondeve. Por, duke iu bindur vendimeve të gjykatës, që erdhën si pasojë e SHRF-së Tiranë, Duka ka njohur rrjedhimisht shoqatën e drejtuar nga Prodani dhe kjo është një fitore jo e vogël për Veliajn.

Është e qartë se Armand Duka duhet t’i nënshtrohet një hetimi të thellë, për fondet dhe mënyrën si është menaxhuar FSHF-ja në 20 vjet prej tij dhe nëse prokuroria ka dyshime për abuzim me fonde dhe kryerjen e veprave penale, duhet nxitur të vijojë në punën e saj sepse drejtësia e re këtë duhet të bëjë në çdo hap të sajin.

Megjithatë, sado të rëndësishme janë këto dy fitore të Veliajt në Tiranë, për të zbythur një herë e mirë Dukën nga drejtimi i futbollit shqiptar (një verdikt që s’ka tifoz kuqezi që nuk e dëshiron sot), ka ende një pikëpyetje të madhe në gjithë këtë proces: Nëse Tirana e bëri detyrën e saj për të pastruar një herë e mirë futbollit shqiptar nga modeli dhe klani DUKA, të njëjtën gjë duhet ta bëjnë edhe shoqatat rajonale të Fierit, Lezhës, Elbasanit, Lushnjës e kështu me radhë.

Që ta themi troç: Erion Veliaj e fitoi betejën e tij në Tiranë, sikur të gjithë të luftonin njësoj, Duka do të ikte një herë e mirë, duke çliruar futbollin shqiptar!

SHKARKO APP