Veliaj: Fiter Bajrami, të jemi më pak cinikë dhe më optimistë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, uroi sot të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë për ditën e Bajramit të Madh. I shoqëruar nga kryetari i Këshillit të Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi, dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak, Veliaj zhvilloi një vizitë në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, nga ku edhe i përcolli urimet e tij kreut të këtij komuniteti, Skënder Bruçaj, duke theksuar se në të përditshmen tonë, ditë të tilla na shërbejnë për të kuptuar se ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa që na ndajnë.
Më poshtë urimi i plotë i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj:
“Duam të urojmë të gjithë qytetarët e Tiranës, por edhe të gjithë Shqipërisë, Gëzuar Bajramin. Është një festë që për të gjithë qytetarët mysliman është e veçantë, por unë besoj, për të gjithë qytetarët e Tiranës është shumë e veçantë. Dua të falenderoj Yllin, imamin e Tiranës edhe të gjithë kolegët që punojnë në komunitetin mysliman, për një muaj fantastik, jo vetëm për besimin e tyre, por për një muaj fantastik solidariteti për qytetin e Tiranës.
Përtej asaj që keni parë nëpër iftarët zyrtarë apo organizimet zyrtare, është edhe një pjesë e padukshme e solidaritetit, ku në mensat sociale të bashkisë, në gjithë listat e familjeve në nevojë për të gjithë ata që kanë pasur nevojë për ndihmë, komuniteti dhe gjithë kjo frymë solidariteti ka qenë pranë. Ndaj dhe besoj që në ditë të tilla ne kujtojmë që ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa ato që na ndajnë dhe sikur secili prej nesh të ishte më pak cinik, më pak toksik, më pozitiv, më optimist dhe më i gatshëm për të ndihmuar unë besoj që ne mund të kemi një qytet më të mirë.
Ndaj dhe dua të falënderoj të gjithë ata që muajin e Ramazanit sakrifikuan jo vetëm prej vetes së tyre, por sakrifikuan edhe të ardhurat e tyre për të qenë më solidarë, dua t’i falënderoj me gjithë zemër sepse e kanë bërë Tiranën më bujare dhe e kanë bërë Tiranën tonë shumë më bashkëpunuese. Më vjen mirë gjithashtu që bashkë me Yllin dje inspektuam punimet e xhamisë së Tiranës dhe më vjen mirë që për herë të parë nuk kemi një nga ato debate dhe nga ato historitë e panevojshme.
Ka sot një katedrale ortodokse, një katedrale katolike, ka nevojë të ketë patjetër një xhami të madhe për të gjithë besimtarët që janë shumica e qytetit tonë, besimtarët myslimanë, e cila akomodon jo vetëm ata për nevojat e tyre të besimit, por sigurisht edhe disa nevoja të qytetit.
Vetëm ky segment do të ketë 1000 vende parkimi, disa salla konferencash dhe përtej të gjithë dobisë që do të kenë besimtarët, do të kemi një dobi të jashtëzakonshme edhe për qytetin dhe infrastrukturën sociale që do të ofrojë.
Bashkia e Tiranës sapo ka lidhur një marrëveshje me disa kolegë të tjerë të komunitetit mysliman, bëhet fjalë për fondacionin “Fundjava Ndryshe”, dhe duam që kjo frymë solidariteti të vazhdojë përtej këtij muaji. Për të gjithë ata që janë familje në nevojë ose me ndihmë ekonomike, Bashkia e Tiranës dhe “Fundjava Ndryshe” do t’i adresojë duke përfshirë të gjithë qytetarët e Tiranës që duan me bujari të japin një kontribut.
Uroj gjithë familjet që ky Bajram t’i gjejë mbarë e mirë dhe të bashkuar dhe ashtu siç jemi sot, në drekën e Bajramit, të bashkuar rreth tavolinës, ashtu qofshim gjatë gjithë këtij viti dhe gjatë gjithë kohës që punojmë për të mirën e qytetit dhe të mirën e Shqipërisë.
Gëzuar dhe mbarësi”.
KOHA JONË SONDAZH

