Veliaj fiton gjyqin për shpifje edhe me Jorida Tabakun
Pas Grida Dumës, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka fituar sot gjyqin edhe me deputeten e PD-së, Jorida Tabaku, e cila e kishte paditur për shpifje pas debateve lidhur me ndërtimin e gjimnazit “Sami Frashëri”. Gjykata ka rrëzuar pretendimet e deputetes Tabaku dhe sipas vendimit të sotëm, Veliaj nuk ka shpifur ndaj saj kur më parë kishte deklaruar se sulmi që i bënte PD-ja projektit për ndërtimin e shkollës “Sami Frashëri” ishte i orkestruar me qëllim vendosjen e një gjobe ndaj kompanisë që po e ndërtonte atë.
Kur nisi puna për ndërtimin e shkollës “Sami Frashëri”, Jorida Tabaku nuk linte asnjë ditë pa sulmuar projektin. Asokohe në media qarkulloi lajmi se sulmet e Tabakut në fakt, nuk i drejtoheshin projektit në vetvete, por bëheshin me qëllim vendosjen e një gjobe ndaj kompanisë që po kryente punimet. Në të njëjtën periudhë me akuzat për ndërtimin e “Sami Frashërit”, media shkruajti se Tabaku kishte në pronësi një supervilë, në një nga resortet më të shtrenjta në Gjirin e Lalzit. Më e çuditshme ishte fakti se kompleksi ku bën pjesë vila luksoze e Tabakut është ndërtuar pikërisht nga firma ndërtuese që po rindërton gjimnazin “Sami Frashëri”, kompania e njohur “StarTek shpk”.
Fjala është për një vilë dy katëshe në kompleksin “Vala Mar” në Gjirin e Lalzit, në një nga zonat rezidenciale më luksoze, ku jetojnë njerëzit më të pasur në Shqipëri, ku thuhet se zotëron një vilë edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Sipas publikimeve të medias, vila ka oborr, parkim të brendshëm, një verandë të stërmadhe, dy kate me disa tualete, buzë detit të Lalzit.
Me një kërkim të thjeshtë online, në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve, u zbulua se StarTek sh.p.k, e cila ka ndërtuar “Vala Mar”, ishte edhe kompania që po ndërton shkollën “Sami Frashëri” në Tiranë. Shkolla e re “Sami Frashëri” është ngritur po mbi atë truall ku ishte shkolla e vjetër dhe së shpejti pritet të hapë dyert për të mikpritur brezin e ri të nxënësve.