Veliaj: Grup i përbashkët me shoqërinë civile për të mbikëqyrur punimet e këndit të lojërave

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka zhvilluar një dëgjesë publike me shoqërinë civile dhe organizata ambientaliste për të prezantuar dhe diskutuar mbi projektin për këndin e lojërave për fëmijë te Liqeni Artificial. Në prezantimin e tij, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se arsyeja e propozimit për vendosjen e një këndi lojërash në Parkun e Liqenit është sepse ajo zonë nuk ka asnjë mjedis rekreativ për ta, por edhe se për bashkinë fëmijët janë në qendër të vëmendjes së saj.

Nisur nga kërkesat e shoqërisë civile për transparencë, Veliaj u shpreh se projekti për këndin e lojërave për fëmijë është prezantuar në të 24 njësitë administrative gjatë muajve nëntor-dhjetor 2015, kur u realizua buxhetimi me pjesëmarrje i Buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vititn 2016. Gjithashtu, ai propozoi edhe ngritjen e një grupi të përbashkët me shoqërinë civile, të cilët të kenë të njëjtin autoritet në kantier për të inspektuar dhe ndjekur punimet.

“Nëse jeni gati, që sot mund t’i vendosim çdo peme nga një fjongo me numër dhe fotografi, si dhe të ndiqni punimet nga afër. Nëse doni e bëjmë edhe me pagesë, që një grup nga shoqëria civile të supervizojë punimet, e në këtë mënyrë të kemi dy supervizorë: supervizorin teknik dhe një supervizor nga shoqëria civile. Në qoftë se në datën 1 qershor, nëse aty janë prerë pemë ose është bërë një kafe, unë iki nga kjo detyrë. Por, argumentet si: çoji fëmijët në një zonë të kontaminuar nga ana tjetër, ku është djegur plastikë sistematikisht, nuk qëndrojnë”, tha Veliaj.

Ndërkaq, në gjashtë muajt e fundit, në Parkun e Liqenit Artificial Bashkia e Tiranës ka mbjellë mbi 2500 pemë. Gjatë inspektimit të procesit të mbjelljes së mbi 200 pemëve të tjera nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha sot se punët e administratës që ai drejton duhet të vlerësohet nga provat dhe faktet.

“Më vjen mirë sot që kemi mbjellë pemën e 2500, në Parkun e Liqenit. Unë besoj se çdo njeri, çdo grupim, çdo institucion duhet të vlerësohet mbi atë që bën, jo mbi atë që ne mendojmë që mund të ndodhi, mbi frikërat që mund të kemi nga e kaluara, mbi fobinë apo mbi paranojën. Njerëzit, sidomos ata që i shërbejnë publikut, duhet të vlerësohen nga faktet”, tha Veliaj.

Mbjellja e pemëve gjatë ditës së sotme është e fokusuar te hapësira publike që më parë ishte zaptuar nga komuniteti rom. Kryebashkiaku tha se kjo është një zonë, e cila vetëm pak muaj më parë ishte një nga zonat më të ndotura të Liqenit, e që sot po pyllëzohet. “Ishte një vend ku shkrihej plastikë, ishte një vend ku derdheshin kanalizimet, ishte një vend ku ushtrohej dhunë, ku digjeshin pemë dhe bëheshin zjarre çdo natë. Sot është praktikisht një pyll i ri dhe unë kërkoj që Bashkia e Tiranës të vlerësohet nga provat dhe faktet e punës”, u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se çdo qytetar që kalon në rrugën e Farkës e shikon se si po punohet përditë. “Nga një instalacion i paligjshëm, nga një tokë e zaptuar dhe një tokë e kontaminuar është sot një pyll i ri për qytetarët e Tiranës. Ndaj unë i them të gjithë qytetarëve të Tiranës, shikoni punën tonë, çfarë kemi bërë këto 6 muaj, si i kemi mbajtur premtimet për të kuptuar se e mbështesim punën në të ardhmen, në provat që kemi për të tashmen”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku u kërkoi qytetarëve që të mbështesin aksionin për mbjelljen e pemëve dhe parkun e lodrave për fëmijë. “E kuptoj që njerëzit janë skeptikë, pasi kanë parë drejtues politikë të cilët kanë dhënë pallate rreth e rrotull Liqenit. Njerëzit janë skeptikë pasi kanë parë ish-kryetarin e Bashkisë që ende nuk prononcohet për një gropë 17 kate. Ata janë skeptikë pasi kanë parë të gjitha çudirat e atyre që erdhën nga rrethet për të mbrojtur liqenin, ndërkohë që në Kamëz, nga ku erdhën, 80 pallate ishin bërë pa leje”, tha Veliaj.

“Ne kemi pasur gjatë gjithë kësaj jave dëgjesa me shoqërinë civile, i kemi propozuar disa hapa konkretë: Ata që kanë dyshime u kemi propozuar që të jenë pjesë e mbikëqyrjes së punimeve, u kemi kërkuar gjithashtu që ne të matrikulojmë dhe të shënojnë çdo pemë, për të siguruar që në datën 1 qershor parku i fëmijëve të hapet, të shikojmë që pemët janë po aty”, përfundoi Veliaj.

SHKARKO APP