Veliaj humb betejën në Apel, Ndreca: Do ta çojmë çështjen në Gjykatën e Lartë
Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kundërshtoi vendimin e GJKKO-së për pezullimin e afateve të paraburgimit. Mbrojtja e Veliajt ka paralajmëruar se do ta çojë çështjen në Gjykatën e Lartë, duke argumentuar se ai nuk ka shkaktuar shtyrjen e seancave gjyqësore. Sipas avokatëve, në njërin prej rasteve mungoi avokati Maksim Haxhia, i cili mbron Ajola Xoxën, ndërsa në rastin tjetër mungoi mbrojtësi i njërit prej të pandehurve të tjerë.
Në dy seancat që kishin të njëjtin objekt, Veliaj nuk ishte i pranishëm fizikisht, por u përfaqësua nga avokati i tij, Plarent Ndreca. Mbrojtja ka argumentuar më herët se pezullimi i afateve të paraburgimit është antikushtetues, pasi cenon të drejtat individuale të personave nën masën e sigurisë dhe i mban ata në paraburgim për vonesa që nuk varen prej tyre.
Seancat për këtë çështje u zhvilluan rreth dy javë përpara se Gjykata e Lartë të shprehej mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte rikthyer për rishqyrtim çështjen që lidhet me masën e sigurisë ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Avokatët kërkojnë gjithashtu ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, duke pretenduar se mekanizmi i pezullimit të afateve të paraburgimit cenon të drejtat themelore të individit dhe penalizon persona që nuk kanë përgjegjësi për shtyrjen e seancave.
Çështja ka rëndësi edhe për përllogaritjen e dënimit përfundimtar, pasi koha e qëndrimit në paraburgim llogaritet me koeficientin një ditë e gjysmë burgim për çdo ditë të kaluar në paraburgim.
KOHA JONË SONDAZH

