Erion Veliaj ironizon partinë e Metës: “Është i njëjti dyqan, thjesht ka ndërruar NIPT”. Partia i Lirisë: Meta do ta mposhtë në Bashki!
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ironizuar sot partinë e re të Ilir Metës. Kryebashkiaku Veliaj tha se Partia Socialiste nuk punon vetëm 30 ditë në fushatë, por gjatë gjithë mandatit, ndryshe nga parti si LSI, që pasi dalin me bilanc negativ, mbyllin “NIPT-in” dhe regjistrohen me logo të re.
“Kjo historia që ti punon 30 ditë, si këta që rrinë në Lalëz dhe kujtohen se tani erdhën zgjedhjet dhe thonë: “Do e shikoni ju në shtator!”. Ou!? Po ti ke qenë President i Republikës, pse nuk na i tregove këto gjëra? Dakord, kanë probleme brenda partisë së tyre dhe i kanë partitë si dyqane me numër NIPT-i, pra mbyll bilancin negativ të një NIPT-i dhe hap një tjetër, por është i njëjti dyqan, thjesht i ka vënë një logo të re. Këto janë problemet e partive të dyqanit, kurse partitë serioze janë krenare edhe për emrin e tyre, edhe për të kaluarën e tyre, nuk mbyllin NIPT-in dhe hapin një NIPT të ri sepse nuk kanë paguar TVSH-të. Këta njerëz kanë borxhe, “taksë morale” për t’i paguar publikut shqiptar, dhe në vend që ta paguajnë këtë taksë morale mbyllin qepenin dhe e hapin me një logo tjetër. Është i njëjti dyqan, është i njëjti biznes politik,” u shpreh Veliaj.
Me tej Erion Veliaj shtoi se sapo të marrë mandatin publik nga PS, atëhere ai do të fillojë betejën për Tiranën 2023-2027.
Nuk ka vonuar dhe pas deklaratës së kryebashkiakut tiranas ka reaguar PL. Ata thanë se “lalin do ta qethim mirë në zgjedhje! Meta e sfidon Veliajn bashkë me Ramën. Le ta provojnë edhe në Bashki”.