Veliaj: Mbajtëm premtimin për shkollën “Qemal Stafa”

Nxënësit dhe mësuesit e gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë kanë marrë një dhuratë të veçantë me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, një premtim i mbajtur edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. Pas shumë muajsh bllokimi, ambientet e reja të shkollës së rikonstruktuar dhe shtesa krejtësisht e re që i është bërë godinës së gjimnazit, u përuruan sot nga kryebashkiaku, Erion Veliaj, i cili gjeti rastin që të përcjellë urimin e tij për të gjithë mësuesit e kryeqytetit.

“Nuk besoj se kishte një ditë më të bukur se ky 7 Mars për të çelur shkollën e re “Qemal Stafa”. Para disa javësh kam inspektuar punimet në këtë shkollë dhe së bashku me drejtoreshën i bëmë një premtim publik njeri-tjetrit, që në datën 7 mars, do të fillojmë mësimin. Tirana ka humbur shumë kohë, ashtu si edhe kjo shkollë, punë që zvarriteshin, kontrata që nuk realizoheshin”, tha kryebashkiaku Veliaj në ceremoninë e përurimit të ambienteve të reja të shkollës.

Ai shtoi se puna e kryer në një kohë të shkurtër në këtë shkollë është shembulli më i mirë i faktit se kur i rri punës te koka, gjërat bëhen në kohë. “Falenderoj të gjithë ata që kanë besim se puna është mënyra më e mirë se si ne i përgjigjemi kritikës, se si u përgjigjemi fjalëve dhe cinikëve. Ndaj, edhe për ju që jeni të rinj sot dhe do të mbaroni shkollën, nesër do të shkoni në universitet, di t’ju jap vetëm një këshillë: Vetëm puna është përgjigja më e mirë për të gjithë ata që nuk e duan suksesin tuaj”, theksoi Veliaj.

Më tej, duke u uruar mësuesve 7 Marsin, Veliaj shprehu mirënjohjen e tij, jo vetëm për ata që e ushtrojnë sot profesionin e mësuesit, por edhe për të gjithë mësuesit e dalë në pension. “Shpreh mirënjohjen për të gjithë ato breza mësuesish, të cilët janë përkushtuar me pasion, që Shqipëria të bëhet një vend më i mirë edhe duke dhënë mend, jo duke kritikuar, jo duke bërë ‘analistin’, por duke investuar te fëmijët dhe e ardhmja e qytetit tonë”, tha Veliaj.

Me rastin e Ditës së Mësuesit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot edhe një grup mësuesish, të cilët kanë dalë në pension. Ai u shprehu atyre mirënjohjen për kontributin që kanë dhënë ndër vite në shërbim të edukimit dhe arsimimit të brezave në Shqipëri.

Punimet për gjimnazin “Qemal Stafa” përfshijnë rikonstruksionin e plotë të ambienteve ekzistuese dhe një shtesë objekti me një sipërfaqe bazë 907 m2. Shkolla tashmë ofron 34 klasa, 5 laboratore, një palestër të re, sallë mesuesish, sallë mbledhjesh, e disa ambiente të tjera, të cilat u vijnë në ndihmë nxënësve dhe stafit pedagogjik. Godina tashmë ofron gjithashtu dhe ngrohje të garantuar nëpërmjet një sistemi qendror ngrohje.

SHKARKO APP