Veliaj me banorët e Dajtit, Zall-Herrit, Shëngjergjit e Zall Bastarit: Asnjëherë nuk është vonë të kthehesh në drejtimin e duhur!
Nga kompleksi i ri sportiv ‘Partizani’, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Xhemal Qefalia, u takuan me banorët e Tufinës, Freskut, Dajtit, Zall-Herrit, Shëngjergjit e Zall Bastarit. Veliaj tha se kjo vërtet ka qenë një fushatë model në kryeqytet, por ajo që e dallon Partinë Socialiste është fakti se vjen në çdo njësi e në çdo fshat jo vetëm për fushatë, por në çdo kohë kur ka nevojë për të qenë pranë me qytetarët, sidomos në kohë të vështira.
“Ky ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm! Por, ne nuk jemi bashkë vetëm për fushatë. Kemi qenë këtu edhe kur s’ka pasur fushatë. Sa e kishim fituar betejën e fundit kur ra tërmeti dhe treguam që s’ishim nga ata që duken një herë në 4 vjet. Kemi qenë me Xhemalin dhe drejtuesit tanë në çdo shtëpi, që kishte nevojë të ngrihej, në çdo familje që kishte nevojë për dashuri, në çdo të moshuar e të vetmuar, që kishte nevojë për mbështetje. Jemi forca politike që quhet Partia Socialiste, edhe kur ka shi, edhe kur ka diell, edhe kur ka tërmet, edhe kur ka pandemi, edhe kur jemi shëndoshë e mirë sepse një familje është gjithmonë bashkë dhe kjo është familja jonë”, u tha Veliaj banorëve.
Ai falënderoi këdo që i është bashkuar në këtë fushatë Partisë Socialiste, teksa veçoi një rast: “Kur po vija këtu takova një vajzë, e cila më tha: ‘Kjo është hera e parë që vij në një miting të Partisë Socialiste, kam qenë gjithmonë djathtas’. Por, asnjëherë nuk është vonë të ecësh përpara. Asnjëherë nuk është vonë që të shkosh në drejtimin e duhur dhe asnjëherë nuk është vonë të bashkohesh me familjen më patriotike, me familjen më të madhe, por edhe me familjen më fitimtare politike, që është Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Prandaj, tha Veliaj, vota për PS është shumë e rëndësishme në 14 Maj. “Javën e kaluar patëm dy kupa. Ishte ekipi basketbollit i gocave të Partizanit, që është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, që solli kupën e gocave dhe ishte ekipi i basketbollit të çunave të Tironës që solli kupën e meshkujve. Në një ndeshje ka gjithmonë një mundësi për ta bërë rezultatin përsëri. Ndeshja jonë ndodh një herë në 4 vjet, është si Kupa e Botës, si Kupa e Europës. Është e nevojshme fitorja se nuk e rikuperojmë dot pas dy, apo tre javësh. Kemi një shans në 4 vjet për ta çuar Tiranën përpara,” u shpreh Veliaj.