Veliaj në Njësinë 1: Nuk e trajtojmë fitoren si triumf, por si mundësi për më shumë punë e projekte të reja

Në vijim të turit të falenderimeve në çdo njësi të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se fitorja e 14 majit nuk duhet parë si një triumf politik, por si një mundësi për t’u shërbyer të gjithëve njësoj, edhe atyre që nuk i besuan Partisë Socialiste. Në takimin e falënderues në Njësinë 1, ai kërkoi bashkëpunimin e të gjithë këshilltarëve bashkiakë, përfshirë edhe atyre të opozitës.

“Pyetja që kemi tani është: Çfarë do të bëjmë me këtë rezultat? Ka dy mundësi: njëra është të sillemi me karshillëk, të shkojmë nëpër njësi e të themi fituam, kurse ju humbët. Por, kjo do të ishte mënyra më e shëmtuar për ta festuar këtë fitore. Ndaj, ne kthehemi në njësi me mëngët e përveshura dhe i themi secilit: Pavarësisht kë votove, Partia Socialiste, kryetari ynë dhe Këshilli Bashkiak është këtu që të të shërbejë ty, familjes tënde, fëmijëve të tu, sepse në këtë qytet ne njohim vetëm ngjyrat kuqezi të flamurit, të kombit tonë, dhe kulturës sonë, për t’u shërbyer të gjithëve kudo ku janë, pa asnjë dallim”, tha Veliaj.

Ai shtoi se besimi fitohet vetëm me punë. “Ju siguroj se do t’i shërbejmë të gjithëve, pa asnjë dallim. Ne vërtet morëm një fitore spektakolare në njësi, por pavarësisht se fituam me mbi 50%, ne do iu shërbejmë 100% të qytetarëve të njësisë sonë. Ndaj, do të doja që kjo verë të mos ishte një verë triumfi, të mos ishte një verë karshillëku apo mendjemadhësie, por të ishte një verë përulësie, ku u themi njerëzve: Jemi të gjithë bashkë, do i çojmë fëmijët tanë në të njëjtat shkolla, kopshte, çerdhe, rrugë, parqe. Nëse njerëzit kuptojnë se fitoren nuk e kemi për karshillëk, por si instrument për të shërbyer, atëherë besoj se edhe ata që nuk na votuan kësaj here, është vetëm çështje dy vitesh, para se të na votojnë në vitin 2025 për fitoren e Partisë Socialiste të Edi Ramës dhe skuadrës sonë në Parlamentin e Shqipërisë,” deklaroi më tej kreu i Bashkisë.

Për këtë arsye, ai e kishte edhe një thirrje për të gjithë këshilltarët bashkiakë. “Ftesa për çdo njeri është: Ne duam t’u shërbejmë të gjithëve, edhe atyre që janë demokratë e që votuan parti të tjera. Në Këshillin Bashkiak kemi 34 mandate, nga 31 që na duhen, nuk kemi nevojë për asnjë forcë tjetër, por ne kemi dëshirë, që edhe ata të tjerët që mendojnë ndryshe, për ta çuar Tiranën përpara, që Piramida të bëhet një qendër kodimi, që Bulevardi i Ri të kthehet në polin e ri për 100 vitet e ardhshme, që ne të mbarojmë edhe lotin e fundit të shkollave, që të sigurohemi se Tirana ka një qendër të re të biznesit dhe ekonomisë në Kashar, që të sigurohemi se tregu agroushqimor në Farkë të ketë çmime më të ulëta për frutat e perimet. Ne duam që t’u shërbejmë të gjithëve! Në këtë mision është shumë e rëndësishme që, pasi të mbarojë festa, të fillojë ritmi i punëve dhe muzika e projekteve të jashtëzakonshme për njësinë tonë, për qytetin tonë dhe për Shqipërinë tonë,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

SHKARKO APP