Veliaj: Nuk mjafton ta duash mjedisin vetëm me fjalë

Qytetarët i janë përgjigjur sot thirrjes së Bashkisë së Tiranës duke u bërë pjesë e aksionit vullnetar “Të pastrojmë Tiranën”. Aksioni nisi në orët e para të mëngjesit dhe u përqendrua kryesisht në pikat më problematike të raportuara më parë nga administratorët e njësive administrative.

Pjesë e këtij aksioni u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili iu bashkua punonjësve të ndërmarrjeve që pastruan rrugën “Dervish Luzha” në Njësinë Administrative nr. 8 dhe më pas rrugën “Irfan Tomini” në Njësinë Administrative nr. 5.

“Më vjen mirë që traditën që nisëm vitin e kaluar, po e vazhdojmë edhe këtë vit. Nesër është një ditë feste, “Dita e Verës”, por si në çdo datë të shënuar, është e rëndësishme që ajo të na e gjejë shtëpinë pastër.

Siç secili prej nesh pastron shtëpinë e vet, ashtu edhe Tirana e madhe duhet të funksionojë si një familje, që e pastron shtëpinë me themeli përpara se të hyjmë në një stinë të re”,- tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai theksoi se, pavarësisht punës së përditshme të ndërmarrjeve të bashkisë, Tirana ka nevojë për ndihmën e çdo qytetari për të qenë e pastër, qoftë duke u bërë pjesë e aksioneve të tilla, qoftë duke u ndërgjegjësuar për ta mbajtur ambientin pastër.

“Ju e dini se gjatë shirave, një pjesë e madhe e bllokimit të kanalizimeve vjen për shkak të ndotjes nga mbeturinat që hedhim në rrugë. Ndaj, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të na ndihmojnë duke mos ndotur.

Ne e kemi zakon që t’ia hedhim fajin armikut, por këtë nuk na e bën armiku, këtu nuk ka armik imagjinar. Këtë ia bëjmë vetes tonë, ndaj ftoj të gjithë qytetarët që të jenë më të kujdesshëm me mënyrën se si i trajtojnë mbetjet e tyre”,- u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës falenderoi për këtë aksion ndërlidhësit, të cilët kanë luajtur një rol kyç në mobilizimin e banorëve për t’u bërë pjesë e nismës.

Gjithashtu, kryebashkiaku bëri të ditur edhe një lajm të mirë për kryeqytetin dhe që ka të bëjë me ndërtimin landfillit të ri për menaxhimin e mbetjeve në Sharrë, i cili do të zgjidhë krizën që ka mbetur pezull në katër vitet e fundit.

“Tashmë, kemi marrë një vendim dhe bashkë me BB dhe IFC, ne do të hyjmë në një proces konkurrimi publik, për të ofruar zgjidhjen më të mirë të trajtimit të mbetjeve e mbeturinave në qytetin e Tiranës”,- tha Veliaj.

Ai shtoi se, pjesëmarrja në këtë aksion është përgjigja më e mirë edhe mënyra më e mirë për të kontribuar për një Tiranë me një ambient të pastër.

“Nëse e doni mjedisin, natyrën, pemët, pastërtinë, ejani në pastrim! Ta duash mjedisin vetëm me fjalë, me të bërtitura e protesta, nuk mjafton. Ai që e do, e do me fakte dhe punë.

Faleminderit të gjithëve për punën dhe faktin që e doni me vepra konkrete”,- u shpreh Veliaj. Aksioni për pastrimin e Tiranës synon ndërgjegjësimin e komunitetit për të patur një mjedis sa më të pastër e të shëndetshëm, si dhe pastrimin e atyre zonave problematike të cilat edhe pse nuk janë përcaktuar si vende të grumbullimit të mbeturinave janë kthyer në vendgrumbullime të mbetjeve.

Drejtoria e Politikave dhe Edukimit Mjedisor në Bashkinë e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me administratorët e njësive dhe ndërlidhësit kanë përcaktuar 15 njësitë e evidentuara me hapësira publike urbane mjaft të ndotura, ku dhe u përqendrua ky aksion.

SHKARKO APP