Veliaj: Palestrat e shkollave dhe fushat e sportit, edhe në shërbim të qytetarëve
Bashkia e Tiranës përfundoi rikonstruksionin e palestrës dhe fushave sportive të lojërave në dorë në gjimnazin “Qemal Stafa”, të cilat gjatë paradites do të shërbejnë për procesin edukativ sportiv, ndërsa pasdite do jenë të hapura edhe për banorët e zonës përreth.
Fushat u përuruan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shpreh i kënaqur që, pak muaj pas rikonstruksionit të të gjithë shkollës, u mundësua edhe hapja e fushave të rinovuara sportive.
Kryebashkiaku Veliaj vuri theksin tek fakti se fushat sportive dhe palestra, do t’i shërbejnë nxënësve dhe qytetarëve, pasi gjimnazi “Qemal Stafa” do të jetë një nga shkollat e përfshira në projektin e shkollave si qendra komunitare.
“Është një investim që ka dobi të dyfishtë: Është investim për nxënësit e “Qemal Stafës”, për të gjithë ata që kanë orët e tyre të fiskulturës, por sigurisht edhe për banorët e njësisë 10, sepse pas orëve të mësimit, palestra, terrenet sportive që janë të një cilësie jashtëzakonisht të lartë, do të jenë të hapura për komunitetin”, shtoi kryetari i bashkisë.
KOHA JONË SONDAZH

