Veliaj, Policisë Bashkiake: Kauzat nuk e përligjin dhunën ndaj jush

Policia Bashkiake e Tiranës është përfshirë në një proces të plotë transformimi, jo vetëm sa u përket mjeteve, por edhe shërbimit ndaj qytetarëve dhe kthimit të kryeqytetit e hapësirave publike në binarët e ligjit.

Ky ka qenë mesazhi që ka përcjellë kryetari I Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj teksa marrë pjesë sot në ceremoninë e betimit të 100 rekrutëve të rinj që janë bërë pjesë e forcave efektive të Policisë Bashkiake që u zhvilluar në ambientet e Policisë Bashkiake.

Në fjalën e tij, ai ka evidentuar se detyrat që dalin para Policisë Bashkiake janë të shumta dhe njëkohësisht të vështira për vetë përpjekjen që kërkon kthimi i kryeqytetit nga një vend ku mbizotëronte i forti në një vend ku mbizotëron forca e ligjit dhe normaliteti, duke filluar që nga çlirimi I hapësirave publike dhe kthimin e tyre qytetarëve.

“Jemi në një situatë jo të lehtë për Bashkinë e Tiranës, për disa arsye. Së pari, sepse kemi marrë Bashkinë pas një katër vjeçari ku nuk janë bërë shumë punë publike, ku nuk ka pasur shumë angazhim të qytetit, ku kishte degjeneruar pastrimi, ku çdo trotuar ishte zaptuar, ku askush nuk e trajtonte pronën publike si një pronë me zot por e abuzonte, zinte dhe e okuponte si një pronë pa zot. Për ta sjellë qytetin tonë në “binarë”, ju jeni instrumenti numër një dhe i pazëvendësueshëm i Bashkisë së Tiranës”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në ceremoninë e betimit.

 Më tej, ai theksoi se brenda 7 muajsh Policia Bashkiake ka pësuar një ndryshim rrënjësor, duke filluar që nga sjellja e përfaqësuesve të saj në raport me qytetarin.

Sipas tij, një element i ndryshimit është edhe përfshirja gjithnjë e më e madhe e punonjësve femra të Policisë Bashkiake.

“Sot është një ditë e veçantë për ju, teksa betoheni në radhët e Policisë Bashkiake të Tiranës. Sot janë 100 rekrutë të rinj, dhe nuk besoj se kishte një lajm më të mirë pas 8 marsit, për të treguar që ne 8 marsin e jetojmë përditë, se ne besojmë tek barazia gjinore përditë. Dua t’ju uroj një mirëseardhje të veçantë kolegeve vajza, zonja e zonjusha të cilat kanë marrë përsipër një detyrë që tipikisht në Bashkinë e Tiranës është kryer vetëm nga meshkujt. Në ditën e parë që kam ardhur në detyrë ka pasur vetëm një zonjë, kështu që automatikisht kemi rritur 22 herë pjesëmarrjen e vajzave dhe zonjushave në Policinë Bashkiake të Tiranës”, tha Veliaj duke theksuar se kushdo duhet të kuptojë se së pari forca nuk është thjeshtë muskulore, por më së shumti në komunikim.

SHKARKO APP