Veliaj prezanton 5 reformat e suksesshme të MMSR-së

Me diskutimin e ligjit për hapjen e dosjeve në Parlament, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, i ka cilësuar të realizuara 5 reformat sociale të dikasterit që ai drejton. Gjatë tryezës “Shqipëria dhe modeli social Europian”, organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung, ministri Veliaj theksoi se reforma e pensioneve, reforma e tregut të punës, reforma e arsimit profesional, reforma e pagesave sociale (NE dhe PAK) dhe reforma e dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë, gjatë një viti e gjysmë morën konsensusin më të madh publik të mundshëm. “Besoj se në këto fusha, të cilat ishin edhe 5 premtimet tona kryesore në zgjedhjet e qershorit 2013, për të pasur drejtësi sociale në shoqërinë tonë, i kemi realizuar objektivat për një model social në Shqipëri”, tha Veliaj. Më tej, ai renditi reformën e pensioneve si reformën më kryesore, e cila sipas tij arriti të parandalojë dhe të nxjerrë nga kolapsi financiar skemën e pensioneve. “Ne besojmë tek një shoqëri që garon për majën dhe heqja e tavanit të pensionit ka filluar të prodhojë pensionet e para sot me 340 mijë lekë, qartazi shumë më të larta se tavani 240 mijë lekë që ishte para një viti”, u shpreh ai. Ndërkohë që, reforma e dytë e listuar prej tij ishte ajo në tregun e punës, e cila bashkë me reformën e pensioneve kanë bërë të mundur rritjen e numrit të të punësuarve dhe kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore. “Rritja e numrit të kontribuesve në sigurimet shoqërore krahasuar me një vit më parë është 93.392 vetë. Askush nuk është naiv të thotë se janë të gjitha vende të reja pune, por një pjesë janë vende të reja pune, pjesa tjetër janë vende të zbardhura dhe sot janë kontribues. Ndaj, për herë të parë në 23 vitet e fundit kanë ndryshuar raportet: kemi 650 mijë njerëz që paguajnë kontribute për 600 mijë pensionistë”, deklaroi ministri Veliaj. Reforma e tretë e realizuar është ajo e arsimit profesionial, e cila sipas ministrit ka filluar të japë frytet e veta, jo vetëm në interesin dhe cilësinë e të rinjve që shkojnë sot në këto shkolla, por edhe në formimin e tyre sipas sistemit dual gjerman. Reforma e katërt, reforma në ndihmën ekonomike dhe pagesat e personave me aftësi të kufizuara, ku sipas ministrit Veliaj është bërë e mundur jo vetëm targetimi më i mirë i varfërisë, por edhe rritja e ndihmës për ata që kanë më shumë nevojë. Reforma që përmbyll këtë listë, sipas ministrit është ajo që ka të bëjë me ish të përndjekurit politikë. Veliaj vuri në dukje se vetëm në një vit, qeveria ka dhenë 4 këste, krahasuar me vetëm një në 8 vitet e qeverisjes së djathtë.

 

SHKARKO APP