Veliaj: Punësimi, do t’i japim përparësi veriut të vendit

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, gjatë përurimit sot të zyrës së re të punës në qytetin e Laçit vuri theksin tek përparësia që do t'i jepet veriut të vendit.

Nga ana tjetër, duke iu referuar përmbytjeve, ai tha se qeveria është duke iu kthyer normalitetit pas përmbytjeve në jug të vendit.

“Pas një situate të vështirë që kaluam me sukses në jug të vendit për të përballuar emergjencat, ne po i rikthehemi jetës normale jo vetëm në Vlorë dhe Fier, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Dhe në fakt jeta normale për ne është rikthimi në punë. Rikthimi në aktivitetet normale edhe për qeverinë pas përmbytjeve fillon me hapjen e një zyre pune në Laç”, u shpreh ministri Veliaj.

Ndërkaq, ai shtoi se “kjo është e para zyrë pune, e një serie zyrash pune që do të hapen në veri të vendit. Fokusi për 2015 do të jetë kryesisht veriu, jemi gati me zyrën e punës në Kukës, do të vazhdojmë më pas në Lezhë, sepse besojmë që Shqipëria duhet të rritet në mënyrë të njëtrajtshme. Vendimi për dyfishimin e fondit të nxitjes së punësimit u vjen në ndihmë bizneseve për të punësuar qytetarë. 

Për ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nuk është ekonomia ajo që rrit punësimin, është rritja e punësimit ajo që rrit ekonominë.

“Nga statistikat e sigurimeve shoqërore, deri në fund të nëntorit të vitit të kaluar kemi pasur një shtesë në sigurimet shoqërore të njerëzve të rinj që paguajnë sigurimet shoqërore me 92 .521 persona”, nënvizoi Veliaj.

Në përfundim të fjalës së tij, ai tha se “përveçse të hapin vende pune të reja, duhet dhe të luftojmë informalitetin. Ne po miratojmë një ligj që do t’u mundësojë kompanive, që deri në datën 31 mars të paguajë sigurimet shoqërore të prapambetura, duke ulur 80 % të gjobës së tyre”, tha ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj..

SHKARKO APP