
Analisti Mentor Kikia e ka cilësuar alarmante letrën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke theksuar se përplasja e tij me kryeministrin Edi Rama nuk duhet parë thjesht si një konflikt mes dy figurave politike, por si një çështje që ngre shqetësime serioze për funksionimin e institucioneve shtetërore. Për të letra e kryebashkiakut përbën një dëshmi që nuk mund të kalohet në heshtje. “Erion Veliaj ka bërë një deponim, sepse letra ka vlerën e një dëshmie në organet e prokurorisë dhe të hetimit. Problemi është mënyra sesi funksionojnë institucionet”, u shpreh Kikia në ”News 24”.
Ai ngriti pikëpyetje edhe për përfshirjen e ministrit të Drejtësisë në këtë çështje, duke theksuar se deklaratat e Veliajt kërkonin një reagim të drejtpërdrejtë nga kryeministri Edi Rama.“Në lidhje me këtë rast, kryeministri duhet të reagonte, qoftë edhe duke mohuar. Nuk mund të mbarojë çdo gjë me një deklaratë të ministrit të Drejtësisë Toni Gogu. Nuk kuptohet se çfarë donte një ministër në orën 22:00 në burg, këtë nuk e kuptojmë”, deklaroi ai.
Kikia e cilësoi ngjarjen si një skandal me përmasa të konsiderueshme, duke argumentuar se çështja prek edhe një prej parimeve themelore të shtetit të së drejtës: pavarësinë e drejtësisë nga pushteti politik. “Pikëpyetja tjetër është që drejtësia është e pavarur apo ndodhet nën kontrollin e qeverisë. Ngjarja ka përmasat e skandalit dhe gjërat nuk duhet të liheshin në heshtje”, theksoi analisti.
Duke komentuar raportin mes Ramës dhe Veliajt, Kikia bëri dallimin mes konfliktit personal dhe atij politik, duke nënvizuar se qytetarët duhet të shqetësohen mbi të gjitha për pasojat që kjo përplasje mund të ketë në institucionet publike. Sa i përket së ardhmes politike të Bashkisë së Tiranës, analisti vlerësoi se kryeqyteti ka një peshë të veçantë në zgjedhjet lokale dhe se rezultati i tij ndikon edhe në zhvillimet politike në nivel kombëtar.
“Mendoj se Rama beson se nuk e fiton Tiranën, nëse ka Veliajn dhe opozitën kundër”, u shpreh Kikia. Sipas tij, pasoja më shqetësuese e kësaj përplasjeje është dëmtimi i besimit të qytetarëve te institucionet. Në intervistë, Kikia kritikoi edhe mënyrën se si funksionon aktualisht Partia Socialiste, duke e krahasuar organizimin e saj me periudhën kur në krye të saj ishte Fatos Nano. “Kur Fatos Nano ishte kryetar i PS-së, ka pasur një dinamikë. Sot me Ramën kryetar të Partisë Socialiste kemi një parti solide, ku askush nuk flet”, deklaroi ai.
