Veliaj shpërndan këstin e katërt për 1200 të përndjekur: Premtim i mbajtur i qeverisë

1200 ish të dënuar politikë që jetojnë kanë marrë sot këstin e 4 të dëmshpërblimit për vitet e burgut gjatë regjimit komunist. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj shpërndau vërtetimet e pagesës për disa të përndjekur, duke nënvizuar se shuma e plotë e disbursuar për këtë këst shkon në afro 5.8 miliard lekë. Në fjalën e tij, ministri Veliaj bëri të ditur se MMSR synon që brenda muajit prill të nisë shpërndarjen e këstit të pestë, si dhe u bëri thirrje ish të përndjekurve politikë që të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm. Z. Veliaj tha se shpërndarja e këstit të 4 është një premtim i mbajtur i qeverisë, e cila në vetëm 1 vit e gjysëm qeverisje ka mundur të shpërndajë katër këste në vlerën e 18 miliard lekëve dhe nga e cila kanë përfituar 5070 persona. “Të merresh me politikë do të thotë të zgjidhësh hallet e njerëzve dhe të menaxhosh sa më mirë interesin publik, në mënyrë që Shqipëria të jetojë më mirë dhe jo të merresh me çështje të cilat nuk i shqetësojnë njerëzit. Sot qytetarët nuk i kanë hallet te intrigat dhe telenovelat me video-kaseta, por besoj se e kanë hallin te shtëpia, te shkollat që ndjekin, te puna që zënë apo pensioni që marrin. Ndaj më vjen mirë që sot po japim një përgjigje konkrete”, u shpreh ministri Veliaj. Ai bëri të ditur se, krahas dëmshpërblimit financiar, qeveria ka vendosur të bëjë edhe dëmshpërblimin moral të kësaj shtrese, duke iu referuar procesit të hapjes së dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit. Z. Veliaj theksoi se nga inventarizimi i tyre rezulton se ekziston shumica dërrmuese e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. “Ka shumë njerëz që thonë se dosjet nuk duhet të hapen sepse nuk ekzistojnë. E vërteta është se aty gjenden mbi 90 për qind e materialit arkivor gati për t’u hapur. Ndaj besoj se ky duhet të jetë një vit historik”, tha z. Veliaj. Ndërkaq, Zv.Ministrja e MSR-së, znj. Gentjana Sula, renditi disa nga masat që ka marrë qeveria në favor të kësaj shtrese dhe dha një lajm të mirë për gjithë ata familjarë që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë regjimit komunist. “Një nga zhvillimet e fundit është dhe krijimi i Zyrës së të Zhdukurve, e cila do të trajtojë të gjitha kërkesat që vijnë nga familjet që kërkojnë familjarët e tyre. Në këtë drejtim do të kemi një partneritet të rëndësishëm me Qendrën Ndërkombëtare për kërkimin e të zhdukurve në Bosnje”, shpjegoi znj. Sula. Gjatë vitit 2014 janë kryer gjithsej 29 pagesa për rreth 5070 ish të përndjekur përfitues të dëmshpërblimit, ndërkohë që vlera totale e disbursuar arrin në afro 18 miliard lekë.

 

 

SHKARKO APP