Veliaj: Shqipëria, përpjekje për aftësimin e të rinjve për të gjetur punë

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë,  Erion Veliaj, mori pjesë në punimet dy ditore të Forumit Rinor 2015 të Këshillit Social dhe Ekonomik të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, SHBA. Në fjalën e mbajtur gjatë punimeve të forumit,  Veliaj u fokusua te përpjekjet e bëra në Shqipëri në fushën e arsimit profesional dhe punësimin e të rinjve.

Ai vuri në dukje se për punësimin e të rinjve duhet t’i hedhim sytë nga vendet që nuk u prekën nga kriza financiare e viteve të fundit, për të kuptuar rëndësinë e të pasurit një zanat, se sa thjesht një diplomë. Ai nënvizoi gjithashtu, se këtë vit qeveria shqiptare ka akorduar 4.5 milion dollarë për Fondin e Nxitjes së Punësimit, një pjesë e të cilave do të ndihmojnë të rinjtë për të gjetur një punë.

“Sot në Ballkan njerëzit nuk pyesin më si dikur ‘i kujt je?’, por çfarë di të bësh me idetë dhe talentin tënd. Kush ndjek arsimin profesional dhe di të bëjnë diçka me duart e tij është më i suksesshëm”, u shpreh Veliaj në Forumin e Rinisë.

Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri Veliaj zhvilloi edhe një takim edhe me znj. Helen Clark, ish kryeministre e Zelandës së Re, sot në rolin e Administratores së UNDP-së, ku u diskutua për mbështetjen e disa reformave, si ato në punësim, arsimin profesional dhe përfshirjen sociale.

Veliaj çmoi shumë mbështetjen e OKB-së në Shqipëri, por veçanërisht të UNDP-së, si dhe vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë në fushën e punësimit, aftësive për të rinjtë dhe përfshirjen sociale.

Znj. Clark, nga ana e saj, shprehu kënaqësinë për progresin e arritur nga Shqipëria për integrimin europian, si dhe për reformimin e skemës së aftësisë së kufizuar, pas miratimit të ligjit kuadër për PAK. “Jemi veçanërisht të kënaqur me bashkëpunimin tonë në fushën e punësimit, zhvillimin e aftësive profesionale, dhe reformën e përfshirjes sociale”, u shpreh znj. Clark.

Ata ranë dakord se do të punohet ngushtësisht për reformimin e skemës së aftësisë së kufizuar dhe zbatimin e një qasjeje të re në këtë fushë. Duke nisur nga java e ardhshme, MMSR dhe UNDP në Tiranë do të nisin një projekt të ri për sipërmarrjen rinore dhe punësimin e të rinjve, si dhe do të përurohet Zyra e re e Punës në Kukës.

Qëllimi i Forumit të OKB-së për Rininë 2015 ishte vendosja e të rinjve në qendër të axhendës së zhvillimeve ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe çështjen e punësimit.

SHKARKO APP